E pakohë, gjithëpërfshirëse, klasike dhe novatore, e zhurmshme dhe meditative. E tillë erdhi ekspozitë-instalacioni për figurën dhe veprën e shkrimtarit Ismail Kadare, zhvilluar ditën e premte në ambientet e Piramidës së Tiranës. Dhjetëra piktura për autorin dhe veprën e tij, realizuar me penel ose të përcjella në formë digjitale, u ekspozuan në pikën më simbolike të kryeqytetit, ku shkrihet qartë e shkuara me të ardhmen, e vjetra me të renë, tradicionalja me novatoren, e huaja me shqiptaren dhe pranojnë harmonikisht njëra-tjetrën.
Organizuar nga Akademia Shqiptare e Studimeve, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, ekspozita-instalacion “Vepra e Kadaresë në artet figurative” mblodhi artistë, piktorë, studiues të artit, miq e dashamirës të veprës dhe autorit, ku spikati interesi dhe, mbi të gjitha, ra në sy ndërthurja e gjeneratave. Ajo dëshmoi se sa shumë pikturë dhe art prodhoi emri, vepra dhe personazhet e shkrimtarit shqiptar më të njohur ndërkombëtarisht, të përkthyer në 45 gjuhë të huaja. Dëshmoi se sa shumë gjurmë lanë te artistët e penelit historitë, narrativat, mitet dhe mesazhet që Kadare përcolli përmes fjalës, në një kohë kur fjala i druhej vetvetes.
“Kadareja është një figurë shumëdimensionale. Ai është shkrimtari, figura më e trajtuar në pikturë në rang botëror. Nuk po flas për Homerin apo autorë të tjerë që janë ilustruar gjatë historisë, por për letërsinë moderne”, theksoi kuratori Abaz Hado, duke shtuar se pikërisht ky zbulim lind detyrimin për ta studiuar më tej këtë figurë, për ta nderuar atë në të gjitha dimensionet e ndikimit që pati në fushat e tjera të artit, si dhe për ta sjellë këtë trashëgimi te brezat më të rinj. “Duam të nxisim fantazinë e studentëve tanë për ta trajtuar figurën e shkrimtarit, por edhe të inkurajojmë krijues të tjerë që ta sjellin në vëmendje dhe, bashkë me të, të trajtojnë vlera të historisë, kulturës dhe qytetërimit tonë”, shtoi studiuesi. Hado vlerësoi veçanërisht përfshirjen dhe kontributin e studentëve të Universitetit Europian të Tiranës përmes veprave dhe skicave të ekspozuara, që vijnë krahas botimit dhe arkivimit të dy albumeve.




















