Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit se kandidimi i Evi Kokalarit përballë Berishës për kreun e Partisë Demokratike nuk është befasi.
Megjithatë ai theksoi se nëse do kishte një kandidat, do të duhej të dilte me kohë, jo vetëm si “emër dhe si ambicie, por edhe me një platformë, me një vizion, me një strategji, me një grupazh, sepse nuk është vetëm ai dhe kryetari dhe partisë, por do të donte të shkojë edhe për figurat”
“Unë do të thoja që nuk ka asnjë lloj befasi këtu. Ndoshta një befasi mund të ketë për njerëzit që janë jashtë strukturave të partisë dhe nuk e kuptojnë jetën brenda strukturave. Unë e kam thënë dhe muaj më parë, nuk e di tashi që ka qëlluar në këtë tavolinë ta kemi diskutuar, që nëse do kishte një kandidat, do të duhej të dilte me kohë, jo vetëm si emër dhe si ambicie, por edhe me një platformë, me një vizion, me një strategji, me një grupazh, sepse nuk është vetëm ai dhe kryetari dhe partisë, por do të donte të shkojë edhe për figurat, le të themi, të nivelit të dytë apo të nivelit të tretë brenda partisë. Pra, duhet të ishte më e gjerë si strategji dhe deri sot…”, tha Alimehmeti.
Ai vuri në dukje se do të ketë një komision që do të shqyrtojë kandidaturat për kreun e Partisë Demokratike.
“Dhe nga krahu tjetër, unë do të thosha që deri sot, përveç që sot nuk e kemi, në dijeninë time nuk ka një njeri që e ka bërë këtë lloj shtrimi, parashtrimi të kandidaturës dhe të ambicies vetë në këtë drejtim. Unë nuk mund të them tani që një status Facebook-u….Do të ketë një komision që do pranojë kandidaturat. Pra, ka një komision zyrtar që do të ngrihet, do të çohen dokumentacionet, përfshirë zonjën Kokalari apo kandidatë të tjerë.
Do të ketë aty mekanizma, po themi filtrime të kontributit…Jemi duke folur për kreun e Partisë Demokratike, jemi duke folur për kryetarin e opozitës, jemi duke folur për kryeministrin hije, potencialisht, apo jo?”, u shpreh anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së.
Ai nënvizoi se “brenda kryesisë do të ketë një ponderim të aplikimeve dhe të figurave, që do të shkojë më pas drejt asaj”.
Alimehmeti shpjegoi gjithashtu se “për të pasur një garë minimalisht, s’po them detyrimisht të suksesshme, por minimalisht të ketë një farë produktiviteti, do të duhej që kjo garë të ishte e kompletuar me ato elemente që unë ju thashë pak më parë, që deri më sot nuk i shoh të ketë…”


















