Nga Desada Metaj

Në të gjitha protestat e opozitës gjatë muajve të fundit, një nga skenat më të dëshiruara ka qenë gjithmonë e njëjta: të mesyjnë drejt Kuvendit. Të hyjnë brenda. Të kapërcejnë kordonin e policisë. Të shtyjnë portat. Të bëjnë atë gjestin simbolik të “marrjes së tempullit”.

Madje disa herë janë përpjekur ta realizojnë këtë edhe në mënyrën më absurde të mundshme: në mbrëmje, jashtë orarit të punës së Kuvendit, kur dihej që brenda nuk lejohej askush. Por simbolika, siç duket, është gjithmonë më e rëndësishme se logjika.

Pra narrativa ka qenë e thjeshtë:
“Duhet të hyjmë në Kuvend.”

Sot ndodhi diçka që në politikën shqiptare ndodh rrallë: opozita nuk kishte nevojë të çante kordonë policie, as të shtynte porta, as të ndizte flakadanë.

Deputetët e saj ishin tashmë brenda sallës së Kuvendit. Me kartën e deputetit në xhep, me mikrofonin përpara dhe – mbi të gjitha – me Edi Ramën në sallë.

Me fjalë të tjera: trofeu ishte në dorë.

Dhe pikërisht në atë moment ndodh kthesa më interesante e kësaj historie.

Opozita thërret protestë… dhe del nga salla e Kuvendit për të mbajtur fjalime jashtë.

Pra, pasi kalon muaj të tërë duke u përpjekur të hyjë brenda, në momentin që ndodhet aty ku ka dashur gjithmonë të jetë, vendos të dalë jashtë.

Një strategji e re politike, ndoshta:
beteja për të hyrë brenda përfundon me aktin heroik të daljes jashtë.

Sepse sot kishin edhe një avantazh tjetër: Rama ishte në sallë. Mund ta përballnin aty, në institucionin ku zhvillohet debati politik.

Por opozita zgjodhi diçka tjetër: të dalë jashtë dhe të mbajë fjalime përpara kamerave.

Dhe kështu, në vend që të bëjë “kilometrin e fundit” drejt pushtetit, që prej muajsh thotë se e ka nisur, duket se nuk bëri dot as edhe një metër.

Nëse trofeu është në sallë…
pse zgjodhët të dilni jashtë?