Kopenhageni ishte i përgatitur të hynte në veprim përballë kërcënimeve të përsëritura nga Donald Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën, madje edhe me forcë ushtarake. Këtë e bëjnë të ditur burime daneze dhe evropiane për televizionin publik danez dhe për Financial Times.
Sipas këtyre burimeve, Kopenhageni kishte përgatitur një plan ekstrem: të hidhte në erë pistat kryesore të aeroporteve në Groenlandë dhe të luftonte në rast se Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin një pushtim ushtarak për të marrë ishullin.
Qëllimi i këtij plani ishte që një pushtim i mundshëm amerikan të bëhej aq i kushtueshëm dhe i vështirë, sa të detyronte Shtëpinë e Bardhë të hiqte dorë ose të kërkonte një zgjidhje diplomatike.
Sipas raportimeve, një kontingjent trupash i dërguar nga qeveria daneze në Groenlandë në janar – zyrtarisht për stërvitje ushtarake – kishte në fakt detyrën të transportonte sasi të mëdha eksplozivi. Qëllimi ishte shkatërrimi i pistës së aeroportit në Nuuk, kryeqyteti i territorit autonom danez, si dhe i pistës në Kangerlussuaq, një ish-bazë e avionëve luftarakë.
Trupat daneze kishin dërguar gjithashtu rezerva të mëdha gjaku në ishull, çka sipas burimeve tregon se autoritetet prisnin edhe humbje të mundshme në rast përplasjeje.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, kur trupat amerikane zbarkuan në Groenlandë nga frika se ishulli mund të pushtohej nga Gjermania naziste pasi Hitleri kishte pushtuar Danimarkën, Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur disa baza ushtarake në ishullin e madh të akullit. Sot mbetet vetëm një bazë, e përdorur për mbikëqyrjen radarike të mundshme të sulmeve bërthamore që mund të vijnë përmes Polit të Veriut.
Pa përdorimin e aeroporteve të Groenlandës, një pushtim amerikan do të bëhej shumë më i vështirë nga pikëpamja logjistike.
Sipas burimeve evropiane, disa vende të Evropës, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë dërguar gjithashtu trupa në Groenlandë muajt e fundit, zyrtarisht për stërvitje të përbashkëta me kontingjentin danez. Por qëllimi real ishte forcimi i mbrojtjes së ishullit si një pengesë ndaj kërcënimeve të Trump për ta marrë Groenlandën “në një mënyrë ose në një tjetër”.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e ka përshkruar situatën si “kriza më e rëndë që nga viti 1945”, duke theksuar se përmirësimi i situatës është arritur falë bashkëpunimit evropian.
Ndërkohë, në samitin e fundit në Davos, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte thuhet se ka bindur Trump të pranojë idenë e një marrëveshjeje të ardhshme që respekton sovranitetin e Danimarkës dhe Groenlandës, por njëkohësisht merr parasysh interesat e sigurisë së SHBA-së.
Megjithatë, sipas kryeministres Frederiksen, negociatat vazhdojnë dhe dëshira e Trump për të marrë Groenlandën mbetet ende e pandryshuar.




















