Nga Ilir Demalia/
Debati i ndezur pas deklaratave të zëvendëskryeministres Belinda Balluku ndaj Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk është thjesht një përplasje e zakonshme mes politikës dhe drejtësisë. Ai po nxjerr në sipërfaqe një problem më të thellë: frikën në rritje se drejtësia e re mund të rrëshqasë drejt arbitraritetit.
Në parim, SPAK u krijua për të bërë atë që drejtësia shqiptare nuk kishte arritur kurrë: të godiste korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit. Për shumë qytetarë, ky institucion përfaqësonte shpresën se epoka e pandëshkueshmërisë politike do të merrte fund. Por çdo pushtet – edhe ai që lind me mision të drejtë – mbart rrezikun e deformimit nëse nuk kontrollohet nga mekanizma të fortë institucionalë.
Problemi që po shfaqet sot nuk është lufta kundër korrupsionit. Problemi është mënyra se si kjo luftë po zhvillohet. Hetime të gjata pa përfundim, masa të forta ndëshkuese që shpallen publikisht përpara se gjykatat të japin vendime përfundimtare, dhe një klimë e përgjithshme ku opinioni publik ushqehet me spektakël penal – të gjitha këto po krijojnë perceptimin e një drejtësie që rrezikon të funksionojë më shumë përmes presionit sesa përmes balancës ligjore.
Në një shtet demokratik, prokuroria nuk është pushtet moral mbi shoqërinë; ajo është një institucion i kufizuar nga ligji dhe nga kontrolli institucional. Kur këto kufij fillojnë të zbehen, lind një fenomen i rrezikshëm: arbitrariteti i drejtësisë.
Historia shqiptare ka njohur një periudhë kur drejtësia nuk ishte instrument i ligjit, por i pushtetit. Emri i Aranit Çela mbetet simbol i një kohe kur prokuroria ishte më shumë mekanizëm ndëshkimi sesa garant i drejtësisë. Krahasimi me atë epokë mund të duket i tepruar, por vetë fakti që ky emër rikthehet në debatin publik tregon një shqetësim real: frikën se drejtësia mund të dalë jashtë kontrollit demokratik.
Kjo nuk do të thotë se politika ka të drejtë të sulmojë drejtësinë për të mbrojtur interesat e saj. Përkundrazi, historia e tranzicionit shqiptar është e mbushur me përpjekje të politikës për të kontrolluar gjykatat dhe prokuroritë. Por reagimi ndaj këtij problemi nuk mund të jetë krijimi i një pushteti tjetër që nuk i përgjigjet askujt.
Drejtësia e fortë është themel i demokracisë. Por drejtësia arbitrare është po aq e rrezikshme sa korrupsioni që pretendon të luftojë. Kur hetimi shndërrohet në spektakël dhe dyshimi në dënim publik, shteti ligjor fillon të zëvendësohet nga një kulturë frike.
Shqipëria ndodhet sot në një moment vendimtar: ose drejtësia e re do të provojë se është institucion i matur, i balancuar dhe i përgjegjshëm; ose rrezikon të perceptohet si një pushtet që vepron përtej kontrollit demokratik.
Sepse në fund të fundit, demokracia nuk mbrohet vetëm duke ndëshkuar korrupsionin. Ajo mbrohet edhe duke kufizuar pushtetin – çdo pushtet, përfshirë edhe atë të drejtësisë.




















