Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës për të përgëzuar ekipin për arritjen në finalen e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026 dhe për t’i ofruar mbështetje para sfidës historike ndaj Turqisë.
Në fjalën e tij para futbollistëve dhe stafit, Kurti uroi Dardanët për fitoren historike në Bratisllavë, duke theksuar se rrugëtimi deri në finale është plotësisht i merituar.
“Përmes jush si ekip kemi mundësinë ta vendosim Kosovën dhe historinë e saj të qëndresës dhe talentit në sytë e mbarë botës. Pas jush qëndron jo vetëm një shtet, por një komb i tërë. Janë tifozët në stadium, familjet tuaja, qytetarët në çdo vendbanim, fshat e qytet, si dhe të gjithë shqiptarët kudo në botë. Kjo mbështetje e madhe është forca juaj dhe duhet ta merrni me vete në fushë. Mos harroni se besimin për fitore në këtë finale e keni ndërtuar vetë, si ekip, së bashku me trajnerin dhe gjithë stafin,” u shpreh ai.




















