Kur bota flet për Iranin, zakonisht ndalet te emri i Liderit Suprem, te programi bërthamor apo te tensionet me SHBA-në dhe Izraelin, por pushteti real i Republikës Islamike nuk kuptohet pa parë strukturën që e mban në këmbë prej dekadash: Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, i njohur si IRGC. Më shumë se një forcë ushtarake, ajo është sot nyja ku bashkohen ideologjia, represioni, ndikimi rajonal dhe mbijetesa e regjimit.

E krijuar pas revolucionit të vitit 1979, IRGC-ja nuk u mendua si ushtri klasike për mbrojtjen e kufijve, por si gardë e revolucionit dhe e rendit të ri islamik. Pikërisht për këtë arsye, ajo është e ndarë nga ushtria e rregullt iraniane dhe i përgjigjet drejtpërdrejt zyrës së Liderit Suprem. Encyclopaedia Britannica e përkufizon si degën më të fuqishme të forcave të armatosura iraniane, ndërsa Council on Foreign Relations e cilëson si një nga organizatat më të fuqishme në gjithë Iranin. Ky status e bën IRGC-në jo thjesht një instrument force, por një mekanizëm të veçantë pushteti.

Forca e saj nuk qëndron vetëm te armët, sepse, me kalimin e viteve, Garda Revolucionare ka depërtuar thellë në ekonomi, siguri të brendshme dhe vendimmarrje politike. Kjo është arsyeja pse IRGC-ja përshkruhet shpesh si “shtet brenda shtetit”: sepse nuk ruan vetëm regjimin, por ndikon drejtpërdrejt mënyrën si funksionon vetë shteti iranian. Në vend që të jetë një hallkë e pushtetit, ajo është kthyer në boshtin e tij.

Pesha e saj rritet edhe më shumë jashtë kufijve iranianë. Krahu më i rëndësishëm i saj, Forca Quds, është struktura që merret me operacionet e jashtme dhe me mbështetjen e rrjeteve aleate të Teheranit në rajon. Britannica e përshkruan Quds Force si krahun elitar e të fshehtë të IRGC-së për operacionet jashtë vendit, i ngarkuar me organizimin, mbështetjen dhe, herë pas here, drejtimin e forcave lokale të lidhura me interesat e Iranit. Kjo e ka bërë Gardën Revolucionare jo vetëm shtyllë të rendit të brendshëm, por edhe instrument të projektimit të ndikimit iranian në Lindjen e Mesme.

Pikërisht për këtë rol, IRGC-ja shihet prej vitesh nga Perëndimi si një aktor kyç i destabilizimit rajonal. Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur më herët organizatë terroriste, ndërsa më 19 shkurt 2026 edhe Këshilli i Bashkimit Europian vendosi ta fusë zyrtarisht IRGC-në në listën terroriste të BE-së. Ky vendim shënoi një ashpërsim të qartë të qasjes europiane ndaj Teheranit dhe ishte sinjal se Garda Revolucionare nuk shihet më vetëm si aparat shtetëror iranian, por si strukturë që tejkalon kufijtë e një force të zakonshme ushtarake.

Zhvillimet e ditëve të fundit e kanë nxjerrë edhe më qartë në pah këtë rol. Reuters raportoi më 16 mars se sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, u ka kërkuar diplomatëve amerikanë të shtyjnë aleatët që të shpallin si terroriste edhe ata IRGC-në dhe Hezbollah-un. Vetë fakti që administrata amerikane po e trajton këtë si prioritet diplomatik tregon se Uashingtoni e sheh Gardën Revolucionare si nyjen reale të kërcënimit iranian, jo thjesht si një repart më shumë të forcave të armatosura.

Po aq domethënëse janë edhe raportimet për rolin e saj në vetë strukturën e pushtetit iranian. Reuters shkroi më 10 mars se lideri i ri iranian, Mojtaba Khamenei, u ngrit në krye pikërisht me mbështetjen vendimtare të Gardës Revolucionare, e cila kapërceu rezerva politike e fetare për të imponuar një zgjedhje të shpejtë në kohë lufte. Ky detaj nuk është thjesht episod i tranzicionit iranian; ai tregon se në momentet më kritike, Garda Revolucionare nuk është vetëm mbrojtëse e sistemit, por arbitri i tij real.

Edhe në fushën ushtarake, pesha e saj është evidente. Reuters raportoi më 13 mars se strategjia asimetrike e Iranit për të goditur tregjet e energjisë dhe për të bllokuar qarkullimin në Hormuz po zbatohet pikërisht nga IRGC-ja. Kjo do të thotë se Garda Revolucionare mbetet instrumenti kryesor i reagimit të Teheranit në krizë: jo përballë vetëm kundërshtarëve rajonalë, por edhe përballë ekonomisë globale. Kur Irani synon të dërgojë tronditje në tregje dhe sinjal force në rajon, dora që vepron është ajo e Gardës.

Për këtë arsye, kuptimi i Iranit të sotëm kalon domosdoshmërisht nga kuptimi i IRGC-së. Ajo nuk është thjesht trupë elitare, as vetëm gardë ideologjike. Është struktura që ruan regjimin, kontrollon mekanizma të rëndësishëm ekonomikë e sigurie, ndikon politikën e jashtme dhe del në plan të parë sa herë sistemi hyn në krizë. Në shumë mënyra, ajo është zemra operative e Republikës Islamike.

Kjo është arsyeja edhe pse Kuvendi i Shqipërisë e votoi ditën e sotme një rezolutë që e shpalli Gardën Revolucionare të Iranit organizatë terroriste, ndërkohë që Partia Demokratike dhe Berisha e bojktouan.