Dy automjete janë përfshirë nga flakët gjatë natës në zonën e Skelës, në Vlorë. Sipas të dhënave paraprake, fillimisht ka marrë flakë një automjet tip “fuoristradë”, ndërsa më pas zjarri është përhapur edhe te një mjet tjetër i parkuar pranë tij.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë arritur të vënë nën kontroll flakët dhe të shuajnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Shkaqet e rënies së zjarrit ende nuk dihen. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë.




















