Nga Carlo Bollino

Parlamenti shqiptar ka miratuar pak javë më parë një ndryshim të kodit penal që parashikon dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët profesionistë. Megjithatë sot perfaqesuesi i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, e konsideron ende një porosi të paplotësuar të Brukselit. “Negociatat po ecin përpara, por ka ende punë. Specifikisht në çështjen e dekriminalizimit të shpifjes, objektivi më i lartë për BE mbetet dekriminalizimi i plotë në linjë me standardet e BE”, tha Gonzato ndër të tjera. Kutpohet kështu që në Bruksel nuk mjafton që në Shqipëri gazetarët profesionistë të jenë të lirë të shpifin, por duhet ta bëjnë këtë edhe media-killerët, politikanët dhe qytetarët e zakonshëm. Midis të gjitha emergjencave që po përjetojmë, është befasuese që Gonzato vendos në krye të listës pikërisht liberalizimi i shpifjes, një produkt që në Shqipëri gjendet me bollëk përtej çdo kufiri të tolerueshëm. Nga mëngjesi deri në darkë jemi të rrethuar nga shpifjet dhe nuk kam dijeni për askënd (as gazetar, as politikan) që të jetë ndëshkuar seriozisht për këtë.

Gonzato citon standardet e Bashkimit Evropian, por janë pikërisht këto standarde që e përgënjeshtrojnë. Midis 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, vetëm në dy vendet shpifja është dekriminalizuar plotesisht: Romania dhe Malta. Është e vërtetë që Këshilli i Evropës ka shtyrë prej vitesh drejt dekriminalizimit të plotë, por fakti që asnjë shtet nuk e ka bërë këtë duhet të thotë diçka. Debati që po zhvillohet në shumë vende të BE, ku edhe pse konsiderohet vepër penale, asnjë gazetar nuk është arrestuar ndonjëherë për shpifje, është më i thjeshtë nga sa e paraqet Gonzato: Brukseli kërkon të mbrojë lirinë e shtypit, jo lirinë për të shpifur. Dhe në Shqipëri gazetarët e vërtetë tashmë janë të mbrojtur. Këmbëngulja e Gonzatos, që imagjinojmë vjen si sugjerim i Brukselit, për të nxitur anarkinë në fushën e dezinformimit, duket e tepruar dhe jashtë vendit.

Shpifja në vetvete konsiston në përhapjen e një akuze të rreme ndaj dikujt dhe nuk kuptohet si kjo mund të shndërrohet në një vlerë për t’u mbrojtur. Problemi i vërtetë lind kur një kallëzim për shpifje përdoret edhe kur shpifja nuk ekziston, dhe kështu ai kallëzim i rremë bëhet një instrument për të penguar lirinë e shprehjes. Por sot emergjenca e vërtetë në Shqipëri janë fushatat e baltës, të shndërruara në një armë brutale që përdoret nga politika për të intimiduar kundërshtarët, jo numeri i kallzimet kundër shpifes.

Ka diçka kontradiktore dhe të sëmurë në pretendimet evropiane që e konsiderojnë si shprehje të liberalizmit instrument të tmerrshëm të shpifjes, të përdorur më parë nga Stalini, Enver Hoxha dhe çdo diktator tjetër për të legjitimuar persekutimet e tyre. Çfarë ka demokratike në njollosjen me të pavërteta të imazhit dhe integritetit të një individi, dhe pse Brukseli synon të mbrojë këtë sjellje? Shpifje ketu ka sa të duash, nuk ka nevojë të mbrohet edhe më shumë.

Në Shqipëri mungojnë shumë gjëra që në Evropë janë me bollëk, por sigurisht nuk mungon shpifja, e cila këtu qarkullon me tepri si në pak vende të tjera. Në televizione, në mitingje politike, në debatet parlamentare, në rrjetet sociale dhe në shtyp, populli shqiptar përmbytet nga shpifjet deri në pikën që opinioni publik nuk arrin më të kuptojë çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme, dhe ky është kërcënimi i vërtetë për qëndrueshmërinë demokratike të vendit. Gonzato shqetësohet që ky lumë balte të lihet i lirë të rrjedhë, por bën dy gabime: gabimi i parë është se, nëse synohet liberalizimi i shpifjes, duhet fillimisht të rregullohet tregu i medias edhe online, duke bere trasparenca mbi pronaret dhe duke asgjësuar killerët, gjobaxhinjtë dhe të gjithë ata që i financojnë, duke filluar nga politikanët. Gabimi i dytë është se liberalizimi i shpifjes është realizuar tashmë nga reforma e hartuar nga ekspertët e Bashkimit Evropian, e cila u ka dhënë superfuqi një Prokurorie speciale pa kontroll dhe ka zbrazur nga gjyqtarë e prokurorë gjykatat e zakonshme, duke i lënë qytetarët e thjeshtë në një vend pa Drejtësi. Nëse një qytetar që ndihet i shpifur në Shqipëri sot do të donte të padiste një politikan, një fqinj apo një gazetar, duhet të përgatitet të presë vite për të marrë drejtësi për shpifjen e pësuar. Koha e pritjes për një vendim përfundimtar në një proces penal është mbi 5 vjet dhe për një proces civil mund të arrijë edhe 8 ose 10 vjet. Ndërkohë shpifësi ka gjithë kohën për t’u hakmarrë më tjeter shpifje ndaj tij për faktin që ka kërkuar drejtësi.

Shqipëria duket se është bërë laboratori për eksperimente sociale që Bashkimi Evropian nuk arrin t’i testojë në vendet e tij anëtare, si një landfill ku hidhen materiale misterioze që askush tjetër nuk i do.

Unë jam gazetar dhe flas si viktimë e shpifjes, një vepër që e vuaj prej vitesh për shkak të një partie politike që, pasi më ka përndjekur pa ndërprerje që nga viti 1994 për shkak të profesionit tim, më ka shpallur madje një ditë më parë “kryemafiozi numër 1 i mediave shqiptare”. Drejtësia, tek e cila kam bërë vazhdimisht apel dhe që vazhdoj ta përdor si mburojën e vetme për t’u mbrojtur, nuk më ka mbrojtur kurrë sa duhet. Shpifësit, megjithëse nuk kanë mundur kurrë të paraqesin prova për akuzat e tyre pikërisht sepse janë thjesht shpifje, vazhdojnë pa u shqetësuar të më linçojnë. Cila është pra urgjenca për të dekriminalizuar një vepër që tashmë në 95% të rasteve mbetet pa ndëshkim?

Ambasadori Silvio Gonzato është një diplomat me fat, sepse ndryshe nga shumë kolegë të tij nuk e ka provuar në lëkurën e vet një fushatë të vërtetë shpifjeje të prodhuar në Shqipëri. Është një shpifje pa kufij, pa turp, e egër, e pandalshme, e vazhdueshme. I uroj të mos e përjetojë kurrë dhe, nëse një ditë do t’i ndodhë, edhe ndoshta do të ndiejë nevojën për t’u mbrojtur nga Shteti. Por kur kjo nuk do të mund të ndodhë “sepse shpifja e pësuar nuk përbën më vepër penale”, nuk do të ketë të drejtë të protestojë: duhet të jetë i lumtur dhe të falënderojë që jeton në Shqipëri, e kthyer ndërkohë në ishullin e lumtur të shpifësve, i vetmi vend në botë që ka pranuar standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Si në kohën e Enverit, kur stalinistët e huaj vizitonin Shqipërinë e uritur dhe të terrorizuar dhe duartrokisnin të kënaqur për sa i bukur ishte Njeriu i ri./Shqiptarja.com