Gjithsej 13 anije janë sulmuar në dhe rreth, Ngushticës së Hormuzit dhe Gjirit të Omanit në periudhën nga 28 shkurti deri më 11 mars, sipas një raporti të publikuar dje nga Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).
Gjatë natës, pranë bregdetit të Irakut, edhe dy anije të tjera u goditën afër portit të Umm Qasr, pranë qytetit të Basrës. Nga ky sulm u vra një person dhe u plagosën 38 të tjerë, tha drejtori i Kompanisë së Përgjithshme të Porteve të Irakut.
Pak çaste më parë, UKMTO njoftoi edhe për një incident tjetër në veri të Jebel Ali, në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkruar se:
“Kapiteni ka raportuar se anija kontejnerike është goditur nga një predhë e panjohur, duke shkaktuar një zjarr të vogël në bord.”




















