Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të mos autorizuar arrestimin e deputetes Belinda Balluku, duke theksuar se ky vendim nuk duhet të mbetet një rast i izoluar, por të shërbejë si pikënisje për një reformë më të gjerë në drejtësinë penale.
Në një postim të tijin, Manjani argumenton se Parlamenti nuk mund të ndërhyjë vetëm për të mbrojtur anëtarët e tij, ndërsa hesht për problemet sistemike të drejtësisë, sidomos për atë që ai e konsideron përdorim abuziv të masës së arrestit me burg.
Sipas tij, në Shqipëri paraburgimi është kthyer në një praktikë të tepruar dhe të pajustifikuar, ndërkohë që Parlamenti nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap serioz për të rritur garancitë procedurale dhe për të kufizuar këtë fenomen.
“Parlamenti ende nuk ka bërë asgjë nga ajo që duhet bërë…
Bllokimi i arrestimit ndaj Belinda Ballukut duhet të jetë fillimi dhe jo fundi i një ndërhyrje të domosdoshme që duhet bërë në drejtësinë penale.
Padyshim që nuk shkon fare që parlamenti të marrë vendim vetëm për anëtarët e vet. Parlamenti presupozohet të marrë vendime për të gjithë të tjerët në radhë të parë. Ndaj nuk shkon fare që marrin vendim për Belindën dhe heshtin për të tjerët!!!
Kujtoj përsëri (kam vite që e bëj) se:
Arresti me burg në Shqipëri është në kulmin e përdorimit abuziv të tij.
Tani, sa i takon teorisë se duke ndërhyrë për të ndaluar këtë praktikë abuzive do na bllokohen negociatat, mendoj se:
Kurrë mos vijofshin!
Nëse qenka kusht për anëtarësim në BE burgosja kuturu e njerëzve, për t’u bërë qefin turmave, nuk e dua këtë anëtarësim!
Këtë mendim e kam patur, e kam e do ta kem sa të kem frymë.
Por, bindja ime është se kjo që sugjeron teoria në fjalë është spekulim dhe se nuk bazohet në realitet.
Askund në BE nuk ndodh kjo që ndodh tek ne me burgosjen e njerëzve pa ua provuar më parë fajsinë e tyre nga një gjykatë që nuk kontrollohet nga prokuroria!
Askund në hapërisën demokratike nuk bëhen arrestime për të kënaqur turmat, sepse nuk do quhej demokraci, por talebanizëm!
Nuk jam në dijeni që BE nxit e sugjeron talebanizma akund!
Ndaj dhe teoria që duhet të arrestojmë sa më shumë që të hyjmë në BE, nuk ka kuptim. Por edhe sikur të ketë, prap po e përsëris, më mirë jo në këtë lloj BE-je!
Nuk ka ndodhur asnjë hata më shumë se ç’ndodh në vetë vendet e BE, me imunitetin e Belindës. Rasti i kryeministrit Çek është më i freskët. Madje ky i fundit e kishte akuzën për fondet e BE. Por kjo e fundit as gëk e as mëk bëri. Aq më pak pati deklarata ambasadash në Pragë që të komentonin vendimin e parlamentit atje…
Nejse, se historia është e gjatë dhe nuk mbaron, por Parlamenti i Shqipërisë ende nuk ka bërë asgjë për të ndaluar proçedimet abuzive dhe veçanërisht burgosjet pa prova.
Nuk ekziston asnjë standard demokratik që paraburgosja të shndërrohet në masë dënimi paraprak!!!
Parlamenti ende nuk ka bërë asgjë për të vendosur gjykatën e paanëshme dhe të për të rritur garancitë procedurale që ndalojnë abuzimet ndaj shtetasve të vet.
Nëse parlamenti do mjaftohej vetëm me ndalimin e arrestit të Belindës, do ishte padrejtësia më e madhe që i bëhet këtij vendi!” – shkruan Manjani.




















