Nga Preç Zogaj/
Partia e vetme në rregjimin njëpartiak nuk ka kosto elektorale nga spastrimet periodike të shoqëruara me lloj lloj anatemimesh të “tradhtarëve” dhe “armiqve të brendshëm”, mendjet e të cilëve bëjnë masë sadopak me dogmatizmin e liderit.
Nuk ka kosto sepse nuk ka zgjedhje. Largo, përjashto, linço kë të duash, sa herë të duash. Partia e vetme fiton 99 përqind.
Natyrisht, në një perspektivë më afatgjatë fati i këtyre kazemave sektare është zhdukja e sigurt nga skena e historisë. Një shembull tipik është historia e PPSH-së. Apoteoza e pastërtisë së saj nga armiqtë e brendshëm imagjinarë shënoi edhe fillimin e rrënimit të saj me vdekjen e Enver Hoxhës. I cili, siç ka dëshmuar e shoqja, sadisfaksionin më të madh që mori në varr pati lënien e partisë të pastër!
E panatyrshmja nuk mban kurrë përjetësisht.
Në rendin shumëpartiak, si ky që jetojmë prej 35 vitesh, partitë politike e paguajnë në kohë reale koston e purgave staliniste-enveriste. Sepse njerëzit janë të lirë të shkojnë me çdo parti që duan, ose me asnjërën. E gjithë përpjekja e partive është të bëjnë për vete sa më shumë njerëz me parti e pa parti, mundësisht edhe të palës kundërshtare. Ky është në thelb rendi politik i konkurencës: Fiton kush mbledh më shumë votues dhe vota.
Historia nuk i mësoi askujt, asgjë, thoshte me dëshpërim shkrimtarja italiane, Orjana Falaçi, duke patur parasysh mendjet e mbyllura apo antipodin e tyre, pra mendjet e lëshuara nën sundimin çnjerëzor të imagjinares që nuk kanë asgjë të përbashkët me mendjet e hapura.
Partia Demokratike e Shqipërisë, që nga lindja e saj, i ka paguar një kosto të vazhdueshme trajtimit të diversiteteve në parti me mentalitetin e partisë unike të rregjimit njëpartiak. Ky është vetëm një prej shartimeve hibride të metodave të rregjimit të mbyllur në shoqërinë e hapur. Që kanë prodhuar ngërçe të mëdha sa në jetën e brendshme të PD-së, aq edhe në ecurinë e demokracisë në vend.
Përfundimi: sa herë është pushtuar nga këto tundime partia është zvogëluar. Në një rast të rrallë kur për pragmatizëm është hapur drejt bashkimit në diverisitet, siç janë zgjedhjet e vitit 2005, ajo ka fituar. Edhe atëherë me shumë vështirësi, duke përfituar nga gërryerja e PS-së falë daljes në skenë të LSI-së së Ilir Metës. Por fitoi. E para dhe e fundit fitore në shenjën e bashkimit si të ndryshëm që pas referendumit antikomunist të popullit shqiptar në zgjedhjet e 22 marsit, të cilin Sali Berisha e trajtoi si fitore të veten, ndaj humbi thellë mbi njëzet përqind të votave pas katër muash në zgjedhjet vendore.
Nuk dua të zgjatem me listën e shembujve të shumtë të përjashtimeve e largimeve të imponuara nga Partia Demokratike për të cilët kam shkruar me detaje në shumë prej librave të mi publicistikë.
Një çudi e çudive në këtë histori është riciklimi i të njëjtit qëndrim në ditët më të këqija të saj, kur po shkon drejt vitit të trembëdhjetë në opozitë, me katër palë zgjedhje parlamentare dhe tre palë zgjedhje vendore të humbura. Në tkurrje të vazhdueshme të mbështetjes elektorale. Sipas një sondazhi publik të ditëve të fundit të ekspertit Eduard Zaloshnja, Partinë Demokratike do ta votonin sot rreth 150 mijë zgjedhës më pak se në maj të vitit të kaluar. Pra nga pesëqind mijë votues që në vetvete janë ende pak për të prekur kufirin e fitores, sot do ta votonin vetëm 350 mijë.
Atyre që do të vinin në dyshim sondazhet e Zaloshnjes, siç është zakon në një parti që nuk duron të shohë në sy të vertetën, dua t’u them se Zaloshnja e ka gjetur rezutatin e zgjedhjeve në Shqipëri brenda marzhit të gabimit që nga viti 2009 e këndej. Duke konkuruar denjësisht kompanitë e mëdha botërore që bëjnë sondazhe në vendin tonë.
E vërteta është ajo që është, jo ajo që duam të besojmë a të mos besojmë. Lajmi që buçet pa qenë nevoja të bërtasë është ky: Ndërsa shtetpartia e kryeministrit Rama po niset një vit para zgjedhjeve vendore t’i rrethojë ato me ushtrinë e zyrtarëve të lartë, të mesëm e të vegjël, Partia Demokratike po merret me mbylljen e garës për zgjedhjen e kryetarit, duke sajuar përjashtime e pastrime, të cilave u ka vënë emrin vetpërjashtim, një term që nuk e gjen në asnjë statut të ndonjë partie demokratike të botës.
Kjo purgë e re do të garantonte një fitore “plebishitare” pa vlerë të Sali Berishës në bunkerin e tij politik. Do të garantonte gjithshtu tharjen e bimëve të fundit të diversitetit dhe pluralitetit të zërave në atë parti. Asgjë tjetër.
Të jemi të qartë. PD nuk vjen dot në pushtet vetëm edhe sikur Berisha të fitonte me kundështarë realë në një garë reale, të drejtë e të barabartë. Por gara do t’i jepte një mundësi diversitetit dhe krijimit të fraksioneve në parti, nëse edhe neni i fraksioneve nuk ka pësuar fatin e nenit të brohoritur fuqishëm të dorëheqjes pa kushte të kryetarit të Partisë kur humb zgjedhjet.
Doktrinat konservatore dhe liberaldemokrate u japin rëndësi të dorës së parë individit që vë në lupën e kritikës qëndrime të shumicës , që në fakt janë të liderit por që votohen symbyllur për komoditet. Tek individë të tillë është shpesh e drejta, thotë Skruton, prandaj çmohen si asete dhe dëgjohen me respekt. Për ta ilustruar me një shembull tonin. Kur PD vendosi të digjte mandatet shumica në parti brohoriti: “Ditë e madhe për Partinë dhe për Shqipërinë”. Pati dy-tre vetë që e konsideruan gabim të rendë me gojë dhe me shkrim. Koha tregoi se e drejta ishte më këta dy tre dhe jo me shumicën brohoritëse, e njëjta pak a shumë që hesht ose brohoret sot shqyerjen për interesat e Berishës të statutit që vetë e kanë votuar.
Në fakt, mendja kritike që mendon se të kesh besim të verbër tek ai që komandon është fillimi i fundit të lirisë nuk ka status dhe vetëm rrezikon në Partinë Demokratike. Ajo e ka marrë herët ketë rrugë. Janë disa intelektualë branda saj ose rreth saj që provojnë t’i tregojnë si janë këto punë në dritën e doktrinave që formojnë identitetin e një partie demokratike në genomë dhe në funksionimin politik. Ka raste kur duket sikur po dëgjon. Por sakaq e tërheq si magnet dh si mallkim mentaliteti i partisë unike. Aty ndihet në ujërat e saj. E huaj në shoqërinë e hapur.




















