Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka publikuar në rrjetet sociale rrëfimin e mësueses së tij të ciklit të dikurshëm 8-vjeçar, Hatixhe Lushi.
Në rrëfimin e saj në TV Ora News, mësuesja Hatixhe Lushi kujton se Balla ka qenë nxënës i saj nga klasa e pestë deri në klasën e tetë dhe e përshkruan si një nxënës të veçantë që spikaste që në atë moshë.
“Ka qenë fenomen. Nuk e them për t’ia bërë qejfin tani që ai është aty, por që në atë moshë ka qenë lider”, shprehet ajo.
Mësuesja rrëfen edhe një episod nga koha kur ai ishte nxënës. Sipas saj, gjatë një provimi ajo i kishte vendosur Ballës notën 9, ndërsa ai kishte reaguar duke i kërkuar t’i tregonte se ku kishte gabuar.
“E pashë në bankë të mërzitur dhe të skuqur në fytyrë. Erdhi dhe më tha: ‘Zysh Tixhe, pse 9 unë? Më thuaj ku e kam bërë gabimin’. Më vuri para një përgjegjësie dhe kur e kontrollova sërish, i thashë: ‘Taulant, ke të drejtë, nuk ke bërë asnjë gabim. Notën e ke 10’”, tregon ajo.
Sipas mësueses, Balla ishte një nxënës shumë kërkues, sistematik dhe korrekt në mësime, duke theksuar se këto cilësi lidhen edhe me edukimin familjar.
“Ka qenë shumë sistematik, i pastër, i rregullt dhe korrekt me gjërat e veta. Kjo vjen edhe nga familja, sepse ka një nënë të mrekullueshme dhe një baba të mrekullueshëm”, shprehet Lushi.
Në postimin e tij në Facebook, Balla e cilëson rrëfimin e mësueses si një surprizë të bukur.
“Çfarë surprize e bukur ky rrëfim i mësueses time në 8-vjeçare Hatixhe Lushi e cila mban titullin ‘Nderi i Librazhdit’”, shkruan Balla.




















