Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha po zhvillon një vizitë zyrtare në Madrid të Spanjës.
Ditën e sotme, Hoxha u prit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit nga homologu i tij spanjoll, José Manuel Albares Bueno.
Ministri Hoxha theksoi se “në takim rikonfirmuam se bashkëpunimi ynë politik, ekonomik dhe kulturor vijon të jetë një shtyllë e fortë e një partneriteti të qëndrueshëm.”
“Njëherazi, ramë dakord se ekziston një potencial i konsiderueshëm ende i pashfrytëzuar në marrëdhëniet tona, të cilin jemi të përkushtuar ta zhvillojmë më tej—veçanërisht në tregti, turizëm, energji të qëndrueshme dhe fusha të tjera me interes dhe përfitim të ndërsjellë”, tha Hoxha.
Ministri Albares shprehu vlerësimin për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, duke ritheksuar mbështetjen e vendit të tij ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për perspektivën e saj evropiane.
Ministri spanjoll theksoi se Spanja si vend anëtar i BE-së është e gatshme që përveç mbështetjes politike për integrimin evropian, t’i ofrojë Shqipërisë edhe mbështetjen e nevojshme teknike në këtë proces.
Të dy ministrat u ndalën më tej edhe në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, me fokus të veçantë në potencialin e industrisë së turizmit për të dyja vendet, rritjen e mëtejshme të investimeve spanjolle në këtë sektor.
*Postimi i Ministrit Hoxha:*
🇦🇱🇪🇸 Kënaqësi e veçantë të jem në Madrid, për të takuar dhe shkëmbyer mendime me homologun tim, José Manuel Albares Bueno.
Shumë faleminderit për mikpritjen e ngrohtë dhe bujarinë e treguar. 🤝
Ndërsa shënojmë 40-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona dypalëshe, rikonfirmuam se bashkëpunimi ynë politik, ekonomik dhe kulturor vijon të jetë një shtyllë e fortë e një partneriteti të qëndrueshëm. Njëherazi, ramë dakord se ekziston një potencial i konsiderueshëm ende i pashfrytëzuar në marrëdhëniet tona, të cilin jemi të përkushtuar ta zhvillojmë më tej—veçanërisht në tregti, turizëm, energji të qëndrueshme dhe fusha të tjera me interes dhe përfitim të ndërsjellë.
Diskutimet tona theksuan gjithashtu rëndësinë që i kushtojmë multilateralizmit efektiv dhe koordinimit të ngushtë në forumet ndërkombëtare, teksa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta globale dhe për të promovuar paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Shpreha mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj Spanjës për mbështetjen e saj të palëkundur dhe të vazhdueshme ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si dhe rikonfirmova angazhimin tonë të fortë për avancimin e reformave në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.




















