Serie A e futbollit në Itali zhvilloi të shtunën tre nga ndeshjet e raundit të 29-të. Interi u ndal 1-1 nga Atalanta, Napoli përmbysi 2-1 Leccen, ndërsa Juventusi fitoi 0-1 në fushën e Udineses.
Në stadiumin ‘Friuli’, vendasit e Udineses u përpoqën të merrnin një pikë kundër Juventusit, por goli i Jeremie Boga në minutën e 38-të të sfidës i dha suksesin e plotë miqve nga Torino. Protagonist u bë turku Kenan Yildiz i cili asistoi për Boga, me këtë të fundit që nuk e pati të vështirë të tundte rrjetën. ‘Zonjës së Vjetër’ iu anulua edhe një gol i Conceiçaos nga sistemi VAR për pozicionin jashtë loje. Më i miri i ndeshjes u shpall Kenan Yildiz, ndërsa trajneri Spalletti nuk e preferoi asnjë minutë Edon Zhegrovën, duke e lënë në stol.
Me këtë fitore Juvja ngjitet përkohësisht në vendin e katërt me 53 pikë, dy më shumë se Como që ka një ndeshje më pak. Udinese me 36 pikë mbetet në pozitën e 11-të.
Këtë të diel Serie A ka në program pesë takime. Spikat Como – Roma në orën 18:00 dhe Lazio – Milan në orën 20:45.




















