Presidenti serb Aleksandar Vuçiç pak ditë më parë, deklaroi se “Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga aleanca e tri vendeve fqinje: Kroacia, Shqipëria, dhe Kosova”.
Ky qëndrim i tij lidhet me marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të nënshkruar në Tiranë më 18 mars 2025 midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, e cila synon forcimin e bashkëpunimit në siguri, koordinim strategjik dhe ndërveprim ushtarak.

Megjithëse interpretimi i kësaj marrëveshjeje shihet si kërcënim i drejtpërdrejtë për Serbinë, në të vërtetë mbetet më tepër një narracion politik paranojak, sesa një realitet politik.
Nëse i referohemi historisë së marrëdhënieve rajonale, kjo tezë bie katërcipërisht, pasi asnjë nga vendet e përmendura nuk ka ndërmarrë një agresion ushtarak ndaj serbisë, përvecse kur u është dashur të mbrohen nga agresioni i saj, dhe ky fakt është i njohur ndërkombëtarisht, për këtë arsye deklarata e Vuçiç duhet parë në një kontekst më të gjerë politik dhe strategjik.

Së pari: Politika e brendshme dhe narrativa e sigurisë

Një nga shpjegimet kryesore lidhet me politikën e brendshme në Serbi.
Në shumë raste, liderët politikë përdorin narrativën e kërcënimeve të jashtme për të konsoliduar pushtetin e brendshëm dhe për të mobilizuar opinionin publik. Në literaturën e shkencave politike kjo qasje njihet si “externalization of domestic tensions”, një strategji përmes së cilës tensionet e brendshme transferohen në diskursin e sigurisë kombëtare.

Në këtë kontekst, retorika mbi një kërcënim të mundshëm nga një aleancë rajonale mund të shërbejë për: mobilizimin e opinionit publik, konsolidimin e mëtejshëm të pushtetit politik, dhe zhvendosjen e vëmendjes nga problemet e brendshme ekonomike dhe politike.
Në logjikën e teorisë realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare, të zhvilluar nga studiues si Kenneth Waltz, shtetet reagojnë ndaj çdo konfigurimi të ri sigurie, edhe ndaj bashkëpunimeve që në thelb kanë karakter mbrojtës mund të perceptohen si kërcënime nga aktorë të tjerë rajonalë.
Në këtë kuptim, deklarata e Vuçiç mund të interpretohet si një përpjekje për balancim strategjik (balancing) ndaj një konfigurimi të ri sigurie në rajon.

Së dyti: Çështja e Pazgjidhur e Kosovës

Një faktor tjetër thelbësor është statusi i Kosovës. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj. Për këtë arsye, çdo përfshirje e Kosovës në mekanizma rajonalë të sigurisë interpretohet në Beograd si një sfidë ndaj sovranitetit serb.
Pikërisht kjo është arsyeja se pse reagimi politik në Serbi bëhet më i fortë sa herë që Kosova përfshihet në iniciativa rajonale në fushën e mbrojtjes.

Së treti: Rivaliteti gjeopolitik në Ballkan

Ballkani Perëndimor mbetet një hapësirë ku ndërthuren interesat e fuqive të mëdha ndërkombëtare. Në këtë rajon janë aktive ndikimet e aktorëve si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Rusia, Kina dhe Turqia.
Ndërsa Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO, nga ana tjetër Serbia vazhdon të ndjekë një politikë të deklaruar të neutralitetit ushtarak, megjithëse ruan marrëdhënie të forta strategjike me Rusinë dhe Kinën.

Nga këndvështrimi i Serbisë, bashkëpunimi midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës mund të perceptohet si një formë rrethimi strategjik. Megjithatë, në realitet nuk ekziston një traktat formal ushtarak që synon Serbinë. Për më tepër, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes midis këtyre vendeve është i integruar kryesisht në arkitekturën e sigurisë euro-atlantike dhe lidhet me standardet e bashkëpunimit të NATO-s.

Në këtë kontekst, deklarata e presidentit serb Vuçiç, për një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, nuk qëndron. Ajo përfaqëson një retorikë tashmë të njohur politike, e cila synon kryesisht të shmangë vëmendjen nga problemet e brendshme dhe nuk përbën një rrezik real për Serbinë.

Autori:
Dr. Erlis Hoxha
Pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare