Analisti Anri Bala bëri kritika të forta ndaj kryedemokratit Sali Berisha dhe kupolës drejtuese të PD-së, lidhur me rezultatet e arritura në zgjedhje.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV, Bala tha se drejtuesit e PD-së nuk duhet të justifikohen për rezultatin e arritur në zgjedhje, por sipas tij, duhet të bëjnë çmos për ruajtjen e demokracisë në vend.
“Këta vetëm qahen se këtyre u vidhen vota. Jo këta kanë narkoshtetin, jo vula… Mua nuk më duhen fare këto ankesa. Ti votohesh zotëri, për të na garantuar demokracinë ne. Ti nuk mund të shkatërrosh këtë familjen e madhe shqiptare, duke u justifikuar duke thënë ‘na vodhën votat’. Ti mandatohesh që me gjithë klientelizmin që ka krijuar Rama, ty të jepet vota që të sigurosh rotacionin politik. Realiteti i PD-së është gjithmonë realitet humbës”, tha mes të tjerash Bala.
Bala foli edhe për zgjedhjet për kryetar të PD-së në 23 maj, ku deklaroi se përsa kohë që në garë është Sali Berisha, nuk ka garë të vërtetë. Ndërsa për nenin ‘Basha’ në PD, Bala propozoi që të quhej ‘neni i dështakëve’, pasi sipas tij, demokratët kanë dështuar në zgjedhje jo vetëm me Bashën, por edhe me Berishën.
“Përesa kohë është Sali Berisha në garë, kushdo që voton për liderin e PD-së, kryesisht kanë Berishën, janë dhjetë vende bosh dhe pastaj janë të tjerët. Te ky neni ‘Basha’ ka një gabim. Ai nuk duhet të quhet neni ‘Basha’, por neni i dështakëve. Këta kanë dështuar edhe me Bashën, edhe me Berishën. Këta janë dështakë komplet. Ky bunkerizim i të tjerëve veç Berishës, i bën dëm PD-së, prandaj nuk faktorizohet askush tjetër, sepse këtu diskutojmë gjithmonë për Berishën”, shtoi Bala.




















