Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të enjten se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po “mbrojnë të gjithë botën” përmes fushatës së tyre ushtarake kundër Iranit.
Netanyahu u shpreh se goditjet izraelite kanë dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Iranit, duke pretenduar se Teherani nuk është më në gjendje të pasurojë uranium apo të prodhojë raketa balistike. Megjithatë, ai nuk paraqiti prova për të mbështetur këto pretendime.
“Ne po fitojmë dhe Irani po shkatërrohet,” deklaroi ai.
Sipas tij, qëllimi i kësaj fushate është eliminimi i kërcënimit bërthamor dhe atij nga raketat balistike të Iranit “përpara se ato të fshihen thellë nën tokë dhe të bëhen të paprekshme nga sulmet ajrore”, si dhe “krijimi i kushteve që populli iranian të marrë fatin në duart e veta”.
Netanyahu theksoi gjithashtu koordinimin e ngushtë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke thënë se të dy “janë në një linjë të plotë qëndrimesh”. Ai hodhi poshtë pretendimet se Izraeli e ka tërhequr SHBA-në në konflikt, duke i cilësuar ato si “lajme të rreme”.
“A mendon vërtet dikush se mund t’i tregojë presidentit Trump çfarë të bëjë? Hajde tani,” u shpreh Netanyahu.




















