Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka reaguar pas caktimit të tij nga Vlora në Tiranë, ku do të kryesojë detyrën e drejtuesit politik në Njësinë Bashkiake nr. 11. Në një reagim të gjatë, Gjiknuri thekson rëndësinë strategjike të kryeqytetit në zgjedhjet e ardhshme dhe detyrën që i është ngarkuar nga lidershipi i partisë.
“Për vetë peshën politike që mbart kryeqyteti, gara elektorale e vitit të ardhshëm në Tiranë ka rëndësi parësore për rezultatin elektoral të Partisë Socialiste. Përqendrimi i forcave në kryeqytet është konsideruar nga lidershipi i partisë si një skemë për të maksimalizuar rezultatin. Në funksion të kësaj strategjie, më është ngarkuar nga kryetari i partisë detyra e të deleguarit politik në Njësinë Bashkiake nr. 11 në Tiranë,” shprehet Gjiknuri.
Ai falenderon votuesit e tij në Vlorë dhe garanton vazhdimin e angazhimit për ta:
“Duke shpresuar në mirëkuptimin e 12 408 votuesve të qarkut Vlorë, të cilët më dhanë besimin nominal në zgjedhjet e vitit 2025 për të qenë deputeti i tyre në Kuvend, tashmë nis një angazhim i ri për të vendosur themelet e një rezultati pozitiv elektoral, jo vetëm në Njësinë nr. 11, por në të gjithë Bashkinë dhe Qarkun e Tiranës.”
Gjiknuri thekson historikun e tij politik dhe fitoret e arritura më parë në bashkëpunim me anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Socialiste:
“Pa iu shmangur asnjëherë detyrave partiake, së bashku me anëtarët, mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Socialiste kemi shënuar fitore të thella në Gramsh, Dibër, Elbasan dhe katër herë në Vlorë. Me të njëjtin model pune do të kontribuojmë së bashku për fitoren e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.”
Ai shpjegon se lidhja e tij me Vlorën mbetet e fortë, pavarësisht ndryshimit të detyrës:
“Koha ka treguar se raporti im me Vlorën dhe me socialistët vlonjat është një lidhje e konsoliduar, e cila i ka rezistuar kohës pikërisht sepse është bazuar në parime, në bashkëpunim të sinqertë, në frymë skuadre dhe në respekt reciprok. E sigurt është se asnjë lloj delegimi apo detyre partiake larg Vlorës nuk e shkëput lidhjen time me miqtë e shumtë dhe me elektoratin vlonjat. 12 408 votat që më dhanë privilegjin të jem deputeti më i votuar i Vlorës, edhe pas gati katër vitesh shkëputje politike, ishin treguesi më konkret i kësaj lidhjeje.”
Në përfundim, Gjiknuri garanton mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Vlorës, pavarësisht nga pozicioni i ri:
“Pavarësisht se ku do të jem, do të vazhdoj të mbroj interesat e tyre dhe t’u gjendem pranë në çdo problem.”




















