Nga Ylli Manjani
****
Anëtarët e Komisioni i Pavarur i Apelimit (KPA), që për vite me radhë vendosën fatet e sistemit të drejtësisë që kemi sot, i janë drejtuar Këshillit i Lartë Gjyqësor (KLGJ) për t’u emëruar gjyqtarë apeli.

Një ironi që s’ka nevojë për koment, por gjithsesi e meriton vemendje.

Anëtarët e KPA, të njohur si “xhelatët” e sistemit të drejtësisë, karrierën e tyre e ndërtuan duke “vlerësuar” të tjerët. Tani kërkojnë të jenë vetë në karrigen e atyre që gjykuan.

Një lloj kalimi nga arbitër në lojtar, pa ndërruar fanellë, por duke mbajtur bilbilin në xhep. Tani i fryjnë këtij bilbili sipas interesit të tyre personal, që e gjejnë në disa rrjeshta ligjesh të lodhura…

Po që i lexojnë rrjeshtat e nëntekstet e aneksit të Kushtetutës?! Ndërsa për ata që hoqën nga sistemi refuzonin ta lexonin e zbatonin të njëjtën kushtetutë!!!

Ndërkohë, një detaj i vogël që nuk duhet harruar: ata nuk janë magjistratë.

Nuk kanë kaluar në filtrat dhe formimin nga Shkolla e Magjistraturës. Por duket se kjo s’është pengesë, kur e sheh veten si “princ kurore” të sistemit.

Princat e kurorës, posi!!!

Ligji, çdo ligj i drejtë në botë, mund t’u garantojë një vend pune pas mandatit, por nuk mund të japë dot automatikisht as meritën, as autoritetin moral për të dhënë drejtësi.

Pra atyre u ofrohet punë, por jo domosdoshmërisht punën që duan!

Sepse një gjë është të gjykosh gjyqtarët dhe, krejt tjetër është të gjykosh njerëzit. E para mund të bëhet me raporte, dosje dhe standarde të dyfishta. “Princat” e vettingut e bënë shpesh pa prova dhe mbi thashetheme.

E dyta kërkon diçka më shumë: drejtësi të provuar, integritet real dhe respekt për procesin e rregullt ligjor. Këto elementë dulshëm u mungojnë “princave” tanë të vettingut.

E përsëris ata për vite hodhën në erë standardet e provës dhe u zëvendësuan me perceptime, thashetheme dhe hamendësime.

Ndaj sot lind një pyetje e thjeshtë: si mund të jenë gjykatës të qytetarëve ata që nuk besuan kurrë te rregullat e gjykimit?

Insistoj, gjykatës emërohesh vetëm nëse dëshmon se do e di të gjykosh me drejtësi,proçes e prova jo me thashetheme.

Princat e kingat e vettingut kanë dëshmuar se nuk dinë të gjykojnë me drejtësi!

Asgjë personale skam me asnjërin prej tyre, por vendimet që kanë marrë kanë qenë shkatërrimtare për ligjin, proçesin e rregullt dhe sistemin e drejtësisë.

Kjo është CV-ja e tyre.