Dritan Burgia është një ndër demokratët që reagoi menjëherë pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar në 9 shtator 2021. Pa asnjë hezitim vendosi të mbështesë Berishën në turin e foltoreve, duke u kthyer më pas në drejtuesin e degës së PD-së në Durrës për rithemelimin. Pas afër pesë vitesh, ai rrëfen takimin me Berishën dhe besimin e tij në premtimet që kishte marrë prej tij për riorganizimin e PD-së dhe kthimin e kësaj partie në forcë politike konkuruese. Por sot Dritan Burgia është përjashtuar nga PD pa një motivacion të qartë, pa argument dhe në mënyrë arbitrare. Në një intervistë për gazeta Tema, Burgia rrëfen marrëdhënien e tij me lidershipin e PD-së në tri kohë dhe flet për zhgënjimin e pabesinë që ndjen sot i përjashtuar nga një parti që i ka dhënë gjithçka pa asnjë rezervë.
Dritan Burgia rendit disa argumente për ngjarje dhe zhvillime në PD që e kanë çuar drejt vendimit për të kundërshtuar lidershipin aktual, një prej të cilëve është edhe organizimi dhe manipulimi i procesit të primareve. Duke qenë drejtues i degës për disa kohë, ai e kishte mjaft të qartë numrin e anëtarësisë, por çuditërisht në procesin e primareve u shtuan 4 mijë anëtarë, të cilët sipas Burgisë u morën lista të gatshme nga fasoneritë e Durrësit për t’i dhënë fitoren kandidatëve të caktuar. E megjithatë, primaret dhanë tjetër rezultat me listën që miratoi Berisha për zgjedhjet e majit 2025. Burgia flet për rezultatet dramatike të PD-së në tri zgjedhjet e fundit dhe rënien me mbi dyfish të numrit të votave në Durrës nga zgjedhjet e vitit 2023 me ato të vitit 2025. Burgia thotë se besimi i elektoratit tek lidershipi ka kapur kuotat minimale, ndërsa rrëfen edhe telefonatat e shumta të demokratëve të Durrësit, por edhe të rretheve të tjera, të cilët solidarizohen me qëndrimin e tij kritik ndaj lidershipit aktual të PD-së.




















