Nga Ardit Bido
Debati i ditëve të fundit është ndezur rreth një rasti konkret dhe një figure të njohur të jetës publike. Është e natyrshme që raste të tilla të tërheqin vëmendje dhe të prodhojnë reagime të forta politike e mediatike. Por nëse ky debat mbetet vetëm te një emër apo te një polemikë e ditës, atëherë do të kemi humbur mundësinë më të rëndësishme që ai na ofron.
Sepse në të vërtetë çështja që është hapur është shumë më e madhe se një individ.
Arresti me burg është masa më e rëndë e kufizimit të lirisë para një vendimi gjyqësor përfundimtar. Në çdo sistem juridik që i përmbahet standardeve europiane ai konsiderohet një instrument ekstrem, që përdoret vetëm kur është absolutisht i domosdoshëm: kur ekziston rreziku i arratisjes, i prishjes së provave, i ndikimit mbi dëshmitarët apo i përsëritjes së veprës penale. Përndryshe, liria mbetet rregulli dhe kufizimi i saj përjashtimi.
Ky është një parim i qartë i sistemit europian të të drejtave të njeriut dhe i jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Europa e ka bërë të qartë prej kohësh se paraburgimi nuk mund të jetë rutinë dhe as refleks institucional. Ai duhet të mbetet masa e fundit.
Në Shqipëri, për fat të keq, është krijuar prej kohësh një prirje ku arresti me burg përdoret më shpesh sesa do të duhej. Kjo nuk është çështje që lidhet me një rast të vetëm dhe as me një person të vetëm. Është një çështje e politikës penale të shtetit dhe e kulturës juridike që kemi ndërtuar ndër vite. Kur masa më ekstreme bëhet e zakonshme, atëherë raporti mes lirisë dhe kufizimit të saj përmbyset.
Në këtë kuptim, rasti i fundit ka një vlerë që shkon përtej vetes. Ai ka hapur një debat të gjerë publik mbi mënyrën se si përdoret arresti me burg në Shqipëri dhe mbi nevojën për ta rishikuar këtë praktikë. Dhe kjo është një mundësi që nuk duhet humbur.
Fatkeqësisht, opozita ka zgjedhur një rrugë tjetër. Në vend që ta shohë këtë debat si një mundësi për reflektim mbi politikën penale, ajo ka zgjedhur ta reduktojë në një betejë politike rreth një individi. Ky është një refleks i njohur i politikës sonë: personalizimi i çdo debati, polarizimi i çdo çështjeje dhe humbja e dimensionit institucional të problemeve. Dhe këtu, opozita humbet dyfish, sepse standardi i saj i dyfishtë kur rasti konkret është në radhët e saj dhe kur rasti është në radhët e mazhorancës e nxjerr zbuluar pamundësinë e saj për të pasur qasje parimore.
Por drejtësia nuk ndërtohet mbi polemika të personalizuara. Ajo ndërtohet mbi parime.
Dhe një nga parimet themelore të drejtësisë europiane është pikërisht ky: paraburgimi është përjashtim, jo rregull.
Pikërisht për këtë arsye, nëse sistemi i drejtësisë në Shqipëri ndërmerr një reflektim serioz për kufizimin e përdorimit të arrestit me burg dhe për një qasje më të balancuar të politikës penale, kjo nuk është një hap prapa në luftën kundër korrupsionit apo në forcimin e shtetit të së drejtës. Përkundrazi, është një hap përpara drejt standardeve europiane.
Disa “kasandra opozitare” janë përpjekur ta paraqesin këtë debat si një përplasje mes reformës në drejtësi dhe përpjekjeve për ta dobësuar atë. Por ky është një keqkuptim i thellë – ose një interpretim i qëllimshëm i gabuar.
Europa nuk mat seriozitetin e një sistemi drejtësie me numrin e arrestimeve. Europa e mat atë me respektin ndaj lirive themelore, me proporcionalitetin e masave të sigurisë dhe me aftësinë e institucioneve për të përdorur forcën e shtetit me maturi.
Një drejtësi europiane nuk është një drejtësi që arreston sa më shumë. Është një drejtësi që arreston vetëm kur është e domosdoshme.
Prandaj debati i sotëm duhet të shfrytëzohet për diçka më të madhe se polemika e momentit. Ai duhet të kthehet në një mundësi për të rishikuar mënyrën se si funksionon politika jonë penale dhe për ta afruar atë më shumë me standardet europiane.
Nëse kjo ndodh, atëherë rasti që sot ka ndezur debatin do të ketë shërbyer për një qëllim shumë më të rëndësishëm: për të korrigjuar një praktikë që prek të gjithë qytetarët dhe për të bërë një hap të qartë drejt një sistemi drejtësie më europian.
Sepse në fund, ajo që mbetet nuk është polemika e një dite. Ajo që mbetet është standardi që një shtet vendos për lirinë e qytetarëve të tij. Dhe një Shqipëri që e trajton lirinë si rregull dhe burgun si përjashtim është pikërisht Shqipëria që Europa pret të shohë.




















