Ndërsa “arti i lartë” shpesh perceptohet si i largët dhe i rezervuar për një publik të kufizuar, drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Aulon Naçi, sfidon një nga stereotipet më të përhapura: opera në Shqipëri nuk është elitiste, por e arritshme për çdo lloj publiku.
I ftuar në Apostrof Podcast, Naçi thekson se përtej kushteve infrastrukturore dhe pozicionit në qendër të qytetit, një nga faktorët kryesorë mbetet edhe çmimi i përballueshëm i biletave, që e bën operën të aksesueshme për çdo artdashës. Megjithatë, ai pranon se publiku nuk është homogjen. Ndërsa koncertet simfonike tërheqin një audiencë më të specializuar dhe të kultivuar muzikalisht, opera dhe baleti kanë një hapje më të gjerë, duke tërhequr edhe spektatorë që nuk janë domosdoshmërisht njohës të repertorit klasik.
Por ajo që bie më shumë në sy është një zhvillim i papritur: mosha gjithnjë e më e re e audiencës që ndjek shfaqjet. Sipas Naçit, vitet e fundit, mosha mesatare e audiencës ka qenë dukshëm më e re, një fenomen që vihet re edhe nga artistët e huaj që performojnë në Tiranë. Regjisorë dhe dirigjentë të angazhuar në skena të ndryshme europiane janë surprizuar nga prania e madhe e të rinjve në sallë, një kontrast i fortë me trendet e vendeve të tjera, ku opera shpesh ndiqet nga një publik më i vjetër.
Ky fragment është vetëm një pjesë e bisedës së plotë në Apostrof Podcast, ku Naçi ndalet më gjerësisht tek sfidat e drejtimit të një institucioni kombëtar në një kohë të dominuar nga shpejtësia dhe vëmendja e fragmentarizuar. Episodi prek tema si raporti i operës me publikun e sotëm, procesi i përzgjedhjes së repertorit, kufizimet financiare dhe teknike, si dhe tensioni mes rolit të drejtuesit dhe identitetit të tij si kompozitor.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: A mund të mbijetojë opera në epokën e TikTok-ut? | Aulon Naçi | Apostrof #63




















