Ceremonia e ndarjes së çmimeve Academy Awards u shoqërua me disa momente emocionale, një prej të cilëve është “In Memoriam”.
Një prej më të veçantave të mbrëmjes ishte homazhi i aktores dhe këngëtares Barbra Streisand për aktorin dhe regjisorin legjendar Robert Redford.
Streisand vlerësoi Redford për angazhimin e tij ndër vite në mbrojtje të lirisë së shtypit, të mjedisit dhe për mbështetjen ndaj talenteve të reja në kinematografi.
“Bob kishte shtyllë kurrizore të fortë, si në ekran ashtu edhe jashtë tij”, tha ajo gjatë ceremonisë.
Në fund të homazhit, Streisand interpretoi këngën e njohur “The Way We Were”, nga filmi me të njëjtin titull ku ajo luajti përkrah Redford në vitin 1973.
Ndërkohë, aktorja Rachel McAdams mbajti një fjalim kushtuar grave në industrinë e filmit, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë ikonën e kinemasë Diane Keaton.
Gjatë ceremonisë u shpallën edhe disa nga fituesit e kategorive teknike.
Çmimi për efektet më të mira vizuale shkoi për filmin Avatar: Fire and Ash, ndërsa dizajni më i mirë i produksionit iu dha filmit Frankenstein.
Ceremonia e këtij viti vijon me shpalljen e kategorive kryesore dhe momenteve të tjera artistike që po mbajnë në qendër të vëmendjes industrinë e filmit në mbarë botën.




















