Polonia do të përfitojë një shpërblim të majme në rast kualifikimi në Botërorin e kësaj vere që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Federata Polake e futbollit ka vendosur të akordojë plot 4.2 milionë dollarë nëse skuadra e Polonisë e arrin objektivin dhe shkruan emrin mes 48 skuadrave pjesëmarrëse në kompeticionin më madhor të futbollit në botë.

Ai që e bën të ditur këtë është gazetari polak Mateusz Ligęza nga Radio ZET, sipas të cilit futbollistët do të përfitojnë këtë shumë që përbën 40% të fondit prej 10.5 milionë dollarësh që FIFA ua akordon ekipeve pjesëmarrëse në fazën finale të turneut

‘Nëse Polonia avancon në Kupën e Botës, lojtarët e ekipit kombëtar do të marrin një bonus shumë të madh nga Federata Polake e Futbollit (PZPN), afërsisht 40% të 10.5 milionë dollarëve të garantuar që FIFA do t’u paguajë pjesëmarrësve në fazën e grupeve të Kupës së Botës”-shkruante gazetari polak Ligeza në rrjetin social X.

Por për të kaluar në fazën finale te Kupës së Botës dhe si pasojë të përfitojë këtë shumë marramendëse, fillimisht Polonia duhet të kalojë Kombëtaren shqiptare me të cilën do të përballen në gjysmëfinalen e fazës së playoffit në mbrëmjen e 26 marsit dhe nëse kualifikohet ajo do të duhet të përballet me fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi.