Partia Demokratike ka hapur zyrtarisht garën për kreun e partisë.
Kandidati i vetëm deri më tani, është Sali Berisha.
Dhe duket se deri në fund, s’do të ketë kandidat tjetër (nja dy emra që përmenden nëpër mediat e majta si kandidatë, nuk janë pjesë e PD tashmë dhe kështu që janë automatikisht të përjashtuar).
Në një kohë që në PD flasin përditë për diktaturë nga Edi Rama, janë duke vepruar po njësoj si ai.
Dhe kjo, nga frika që kanë nëse ndokush del e kandidon përballë Sali Berishës, që do të ishte gjëja më normale në botë, sidomos për ata që aspirojnë të shpallin PD fituese dhe të largojnë të “keqen më të madhe” të këtij vendi, Edi Rama, nga drejtimi i Shqipërisë.
Sali Berisha këtë gjë nuk e bën dot, dhe këtë e treguan edhe zgjedhjet e fundit.
Ndaj, nëse e kanë seriozisht betejën për të shpallur PD fituese dhe për të larguar Edi Ramën, duhet të dalin publikisht dhe të sfidojnë Berishën.
Të paktën dy prej tyre, që kanë rezultuar edhe më të votuarit në PD.
Fjala është për Jorida Tabakun, e cila mori 18 mijë vota në zgjedhjet e 11 majit 2025, dhe Ilir Alimehmetin, që mori 17500 vota dhe nuk u fut dot në Kuvend, për shkak të listave të mbyllura.
Ata rezultuan më të votuarit në PD, edhe pse publikisht nuk konsideroheshin si njerëz të Berishës, pasi u lanë jashtë listës së sigurtë, ku u futën njerëz që nuk i voton as fisi i tyre.
Por të dy, si Tabaku, edhe Alimehmeti, me sa duket, më shumë se për të ardhmën e PD-së dhe Shqipërisë, mendojnë për karrierën e tyre.
Dhe besojnë se janë më të sigurtë nëse qendrojnë nën hijen e Berishës, me shpresën se një ditë ai do të largohet vetë./ Vox News




















