Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë këtë të diel në rrjetet sociale një video-mesazh të drejtoreshës së Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Anxhela Paparizo, ku theksohet rëndësia e transparencës dhe denoncimit të çdo shkeljeje në sistemin shëndetësor.
Në mesazhin e publikuar, Rama nënvizon se transparenca mbetet themeli i një shërbimi shëndetësor cilësor dhe të besueshëm për qytetarët.
Sipas tij, çdo person që përballet me situata që cenojnë integritetin dhe standardet profesionale në ofrimin e shërbimit mjekësor duhet t’i drejtohet strukturave përkatëse ligjore.
Ai bën thirrje që rastet e dyshuara për shkelje apo korrupsion të raportohen edhe pranë Koordinatorit të Antikorrupsionit në QSUT, përmes adresës së dedikuar të kontaktit.
Mesazhi u publikua i shoqëruar me një video ku drejtoresha e QSUT, Anxhela Paparizo, flet mbi rëndësinë e denoncimit të çdo parregullsie dhe forcimin e mekanizmave të transparencës në institucionin më të madh spitalor në vend.




















