Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar pas deklaratës së ministres Evis Sala lidhur me kufizimin e analizave laboratorike në QSUT pas datës 20 të çdo muaji për shkak të mungesës së fondeve.

Në një njoftim për qytetarët, ministria sqaron se aktualisht nuk ka asnjë ndërprerje të kryerjes së ekzaminimeve laboratorike në spitalet rajonale dhe ato universitare në vend. Sipas saj, shërbimi vijon normalisht dhe pa ndërprerje, veçanërisht për rastet urgjente, të cilat trajtohen në çdo kohë.

Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se strukturat janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, duke analizuar fluksin e pacientëve dhe profilin e sëmundshmërisë, me qëllim garantimin e një shërbimi cilësor dhe të integruar për çdo pacient.

Ministria thekson se institucionet përgjegjëse mbeten të angazhuara për të siguruar vijimësinë e shërbimeve laboratorike dhe reagimin në kohë ndaj çdo nevoje të qytetarëve.

Ky reagim vjen pasi ministrja Evis Sala deklaroi se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” analizat për pacientët e shtruar mund të kufizohen pas datës 20 të çdo muaji, për shkak të arritjes së tavanit buxhetor në kuadër të kontratës me koncesionarin.

Sipas shpjegimeve, shërbimi laboratorik ofrohet përmes një partneriteti publik-privat dhe funksionon mbi bazën e një kufiri financiar mujor. Kur arrihet ky limit, analizat vijojnë kryesisht për rastet emergjente, ndërsa ministria ka nisur vlerësimin e situatës për të gjetur një zgjidhje brenda vitit.