Nga: Gjon Ndrejaj
Kam kaq ditë që jam në dilemë të shkruaj rreth kësaj teme apo të hesht. Në fakt problemet e shtypit më ngacmojnë së tepërmi edhe për faktin se jam një ndjekës i rregullt i tij por edhe se çoç shkruaj edhe unë ndonjëherë. Më shqetëson fakti që opinionistët janë krejt të njëanshëm dhe duket se janë të financuar nga interesa të caktuara, më shqetëson shumë edhe masakrimi që gazetarët i bëjnë gjuhës shqipe, më shqetëson dhuna dhe gjuha e dhunës që domoinon ekranet etj. dhe e thënë me një fjalë më shqetëson degradimi i rolit të shtypit dhe medies tonë, nga një mission për të informuar publikun , në një mjet për të fituar para. Gjithë këto ditë kam lexuar lidhur me rolin, misionin e shtypit dhe të gazetarit dhe sa më shumë lexoj aq më shumë kuptoj se sa larg është gazetaria shqiptare nga ky mission.
Konferenca shtypit dhe gazetarët
Përpara disa ditësh ishte paralajmëruar një konferencë shtypi e Kryministrit dhe e ndoqa me vëmëndje.Kjo për faktin se kisha nevojë të qartësoja disa nga qasjet e qeverisë rreth problemeve që shqetësojnë vendin. Në fakt një konferencë shtypi këtë rol ka. Organizatori i saj kërkon të transmetojë publikut të gjërë qëndrimet e tijë dhe të organit që përfaqson lidhur me qasjet e tij ndaj probelemeve që e shqetësojnë dhe që dëshiron t’i ndajë me publikun. Për këtë qëllim ai fton gazetarë nga organe të ndryshme të medieve të shkruara dhe vizive me qëllim që mesazhi i tij të përcillet sa më mirë te publiku.
Zhvillimi dhe organizimi i konferencës nga organizatorët përcakton rregullat e veçanta të konferencës dhe ja u komunikojnë ato gazetarëve në fillim të saj, ndërkohë që rregulla dhe standarte të gazetarisë duhen marrë në konsideratë nga vetë gazetarët dhe organizatorët. Kështu, nga praktikat e konferencave rezulton se mund të vendosen kufizime kohore për konferencën në vartësi të kohës së organizatorit. Kjo sepse koha e gazetarëve në dispozicion mund të jetë e pa limituar, ndërkohë që koha e organizatorit mund të jetë e kondicionuar nga agjenda e tij. Po ashtu mund të vendosen kufizime lidhur me numrin e pyetjeve që mund të drejtojë çdo gazetar, ashtu siç mund të ftohen vetëm disa gazetarë dhe hyrja në konferencë të mos jetë e lirë. Standartet e konferencës së shtypit diktojnë që pyetjet e gazetarëve të drejtohen vetëm për temat dhe çështjet e prezantuara nga organizatori i konferencës dhe jo për çështje të tjera, pavarësisht nga interesi publik që mund të kenë. Kjo për shkak të racionalizoimit të kohës dhe fokusimit te qëllimi i konferencës. Kjo nuk është një praktikë vetëm shqiptare por edhe botërore. Mjafton të kujtojmë konferencat e shtypit të presidentit amerikan Trump i cili në ndonjë rast ka lejuar vetëm një pyetje për gazetarët. Por Trump nuk është modeli më i mirë i marrëdhnënies me shtypin… Këtu fillojnë edhe problemet me atë që quhet liria e shprehjes. Këto masa disa i konsiderojnë si kufizim të lirisë së shprehjes dhe në të vërtetë ka një bazë reale dhe llogjike se si kjo përbën një lloj kufizimi. Por konferenca organizohet nga zyrtarët e lartë kryesisht të qeverisë, për interes të tyre, ndërkohë që interesi i gazetarëve është që të gjithë të kenë qasje në informacion dhe ta përcjellin atë. Gjithësesi mjete të tjera ligjore për të marrë informacionin ekzistojnë por informacioni i marrë dhe i shpërndarë në kohë është lajm për të cilin lufton çdo gazetar.
Pyetje versus koment. Standarte
Pas prezantimit të pikpamjeve të organizorit të konferencës, sipas mundësive që u krijohet nga organizatori , secili gazetar ka të drejtë të bëjë pyetje rreth asaj që u prezantua. Në se përgjigja nuk është e qartë apo ajo nuk përmbush pritshmëritë e gazetarit ai mund të bëjë një pyetje tjetër më të drejtpërdrejtë por kurrësesi të bëjë komente mbi përgjigjen. Në shkrimin që do të përcjellë gazetari lidhur me konferencën e shypit ai është i lirë të bëjë komente dhe të shfaqë opinione lidhur me përgjigjet por kurrësesi ai nuk mund ta bëjë këtë gjatë konferencës në formë debati.
Por teknika e pyetjeve të gazetarit shpesh e konfondon këtë, aq sa me vështirësi e dallon pyetjen nga komenti. Pyetja ideale do të ishte pyetje për të mbledhur fakte si; kur,ku përse? P.sh.Zoti Kryeministër! Sa është shuma e alokuar për objektin? Kur pritet të fillojnë dhe të mbarojnë punimet etj ? Ose pyetje sqaruese si p.sh. Ju thatë se do të rriten pagat, a do të përfshihen në këtë rritje edhe mësuesit? Pyetje të tjera mund të kenë karkater hetimi, për pasojat e shkaktuara nga një akt i qeverisë, pyetje me karakter krahsues apo për të evidentuar përgjegjësitë personale të zyrtarëve në një process të caktuar. Pyetjet të tjera me fund të hapur ose të mbyllur, përfshijnë kategoritë e pyetjeve gazetareske por në asnjë manual të gazetarisë nuk përfshihen debate lidhur me përgjigjet, ashtu siç edhe organizatori nuk duhet të bëjë vlerësime aq më pak denigruese për pyetjet sipas parimit “nuk ka pyetje budallaqe por ka përgjigje të tillë”
Gazetari në një konferencë shtypi në asnjë rast nuk duhet të bëjë pyetje të gjata që përmbajnë brenda komente dhe opinione të tijat personale mbi një çështje të caktuar. Pyetjet sugjestive të karakterit “ A nuk mendoni se ky është një dështim i qeverisë?”, nuk janë në përputhje me etikën e gazetarit. Na asnjë rast nuk është e pëlqyeshme nga etika që gazetari të ndërpresë zyrtarin gjatë përgjigjes sido që të jetë përgjigja qoftë edhe e gënjeshtërt. Debati midis gazetarit dhe zyrtarit që jep konferencën është tërësisht i përjashtuar nga çdo rregull etik dhe professional.
E thamë edhe më sipër se historia e konferencave të shtypit është e mbushur me raste të intimidimit të gazetarëve nga personalitete të larta lidhur me pyetjet e tyre. Është i njohur qëndrimi i presidentit Donald Trump ndaj gazetares së ABC Neës, Rachel Scott, kur ju drejtua se ju jeni “gazetarja më e neveritshme në vend”, apo ndaj gazetares së CNN Kaitlan Collins duke e quajtur atë “budallaqe dhe e neveritshme”, ashtu si edhe e një gazeterje tjetër të NYT, kur i tha se je “e shmëtuar brenda dhe jashtë”. Sigurisht këto nuk janë modeli nga duhet të udhëhiqen zyrtarët e lartë në marrëdhnëie me gazetarët ndërkohë që këta të fundit kanë shumëçka për të ndryshuar në sjelljen e tyre profesionale.
Rasti Ambrozia
Në fakt i gjithë shkrimi si më sipër mori shkas pikërisht nga incidenti që u krijua në mes të Kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta, gjatë konferencës së shtypit. Konferenca kishte një fillim të pa zakontë. Pas përfundimit të deklaratës për shtyp të konferencës erdhi radha e pyetjeve të gazetarëve. Kryeministri ja dha fjalën të parës znj.Ambrozia, sido që të gjithë kishin ngritur dorën për pyetje. Ai e shoqëroi dhënien e fjalës për Ambrozian me një kompliment të pa zakontë duke ju drejtuar gazetares afërsisht si “zonjusha me xhaketë të kuqe dhe pantallona të zeza që përbën një kombinim të mrekullueshëm të ngjyrave”, duke aluduar për ngjyrat e flamurit kombëtar. Krijimi i kësaj atmosfere positive dhe “patriotike” normalisht duhej ta vinte gazetaren në një pozitë të rehatshme. Ai sigurisht e njhte shumë mirë Ambrozian si dhe medien që ajo përfaqsonte dhe që në fillim mendova se ky ishte një “marifet” për ta joshur gazetaren, me qëllim që ajo të ulte tonet ose ishte një kurth i tij… Kryeministri është mjeshtër i komunikimit dhe i njeh shumë mirë standartet dhe grackat e tijë. Dhe paskësh qenë tamam kështu. Ambrozias nuk ja ndjeu fare për komplimentin e kryeministrit dhe u hodh në sulm me pyetje që lidheshin me imunitetin e Ballukut, krahasuar me “burgosjet” sipas saj, të qyetarëve që nuk kanë paguar energjinë elektrike. Edhe pse Rama u përpoq me shumë “qetësi” për të bërë dallimin midis këtyre rasteve dhe duke deklaruar se nuk është burgosur asnjë qyetar për mospagim të energjisë elektrike por për vjedhje të saj, gazetarja i shpërfilli përgjigjet e ndërpreu disa herë, debatoi ashpër, sa nuk po i krijonte mundësinë kryeministrit që të jepte përgjigje. Rama gati si me “përulësi” i kërkonte tï jepte mundësi të përgjigjej por ajo vazhdonte.
Atëherë Rama ja “nxori kokën” muhabetit…. Pa asnjë lidhje me çfarë po diskutohesh, kryeministri i tha gazetares se ju përfaqsoni një medie ( Syri TV) që është në një process penal për pastrim parash dhe me një gjuhë bullizuese shtoi se drejtori i saj është Qimi ( në vend të Çimi), duke theksuar gërmën “Q” dhe konotacionin negativ që bartëte ky shqiptim. Gazetarja e humbi kontrollin dhe shpërtheu në akuza si kundërpërgjigje ndaj Kryeministrit, gjë e cila solli ndërprerjen e konferencës së shtypit dhe përjashtimin e saj nga kjo konferencë.
Po kush ishte bilanci i kësaj beteje ? Komplimenti i bërë nga Rama për veshjen si dhe dhënia e fjalës së parë, gazetares krijuan një “atmosferë positive” dhe mbase duke karahsuar me reagimin e mëvonshëm të gazetares e vunë atë në një “pozitë mosmirënjohëse” dhe Ramën si një njeri i hapur, transparent pa dallime të bindjeve politike ndaj gazetarëve etj. Ndërkohë reagimi i gazetares e provokuar edhe nga artikulimet e Kryeministrit por edhe ndërprerja e fjalës së tij prej saj, bënë që ajo të humbë misionin për të cilin ishte në atë konferencë. Gazetarja e shkëmbeu rolin dhe misionin e saj me të qenit një militante politike. Ndërsa Rama me mjeshtëri dhe për gabimet e gazetares ja arriti që duke e konsideruar medien që ajo përfaqsonte si e lidhur me krimin ai diskreditoi në sytë e publikut burimin e informacionit duke e zhvlerësuar atë pavarësisht se si do të shkruante Ambrozia në raportimet e saj. Ai e zhvendosi fokusin e bisedës nga pyetja e gazetares te vetë gazetarja. Por pyetja dhe përgjigja e saj kishin interes publik ndërsa gazetarja jo. Ai mundi ta izolojë gazetaren edhe nga kolegët si për shkak të debatit ashtu edhe të përjashtimit. Rënia në këtë debat i gazetares apo le ta quajmë në “kurthin”e Ramës ishte një gabim professional i saj. Qëllimi gazetares nuk ishte të fitonte debatin me Ramën por të merrte informacionin e duhur dhe qasjen e Ramës ndaj këtyre fenomeneve për t’ja bërë të qartë më vonë publikut. Ajo duhet ta kishte shmangur tërësisht debatin qoftë edhe për provokimet e bëra për çështjen penale apo emrin e drejtorit të TV, madje duke e falënderuar për komplimentin dhe duke i kërkuar atij të fokusohesh te çështjet me interes publik për të cilat është pyetur.
Nuk mund të them me siguri në se kjo ishte një parashikim apo strategji e Kryeministrit por jam i bindur se kjo i shërbeu më shumë narrativës së tij se sa misionit të gazetarisë…
Shoqatat e gazetarëve
Ajo që më brengosi më shumë në gjithë këtë histori ishte dekklarata e një prej shoqatave të gazetarëve, e cila pa më të voglin hezitim merrte në mbrotje gazetaren dhe gjithë këtë histori e konsideronte si kufizim të lirisë së shprehjes.Pa dyshim që përjashtimi i gazetares nga konferenca e shtypit është një rast që cënëon lirinë e shprehjes dhe shoqata me të drejtë e dënon por gazetari duhet të kujdeset vetë pikë sëpari për lirinë e shprehjes duke respektuar rregullat etikës. Kur ky kufizim është rrjedhojë e shkeljes së rregullave të etikës nga vetë gazetari, si në rastin konkret, atëherë duhet kuruar shkaku i sëmundjes në mënyrë që ajo të ms përsëritet apo të progresojë. Asnjë fjalë nuk u tha në deklaratën përkatëse të Shoqatës lidhur me respektimin e rregullave të etikës profesionale nga gazetarja.
Pa dyshim që vendi ynë ka probleme me lirinë e shprehjes por gjithësesi ka bërë një progress të mirë dhe kjo i atribuohet në radhë të parë vetë komunitetit të gazetarëve. Në indeksin botëror të lirisë së medias për vitin 2025, Shqipëria shënoi një përmirësim të ndjeshëm në klasifikim duke u ngjitur me 19 shkallë , në vendin e 80 nga 180 vende gjithësej. Por nga vëzhgimet e bëra nga “Birn” rezulton se 64.2 përqind e gazetarëve mendojnë se liria e shprehjes është përkeqësuar. Dhe kjo përfshin, jo vetëm raportin me qeverinë por edhe vetcensurën, raportin me pronarët e mediave, kufizimet e temave tabu, aksesi në informacion etj ku vetë gazetarët kanë një rol parësor në përmirësimin e kësaj gjendje.
Duke marrë pozicionin vetëm për të mbrojtur gazetarët nga kufizimet e jashtme të lirisë së shprehjes dhe duke neglizhuar rolin e vetë atyre, Shoqata e gazetarëve në thelb i bën një dëm të madh lirisë së shprehjes. Kështu ajo legjitimon sjelljen jo etike të gazetarëve, duke e kthyer atë në një normë; humbasin kredibilitetin e publikut i cili nga ana e vet është në gjendje të bëjë dallimet dhe shkaqet si në rastin konkret; nxit polarizimin midis komunitetit të gazetarëve dhe midis tyre e publikut etj.
Si përfundim liria e shprehjes nuk është e pakufizuar dhe nuk përfshin të drejtën e gazetarit për të penguar të tjerët të shprehen. Në rastin konkret liria e Kryeministrit për të dhënë një përgjigje, është po aq e rëndësishme sa liria e gazetares për të bërë pyetjen. Në se një gazetar e përdor kohën e tij jo për të marrë informacion por për të penguar informacionin dhe për të debatuar, ai nuk po ushtron profesionin e tij por po abuzon me të. Kësisoi kur Shoqata e mbron këtë sjellje jo etike si liri e shprehjes, ajo i bën një dëm të madh jo vetëm debatit publik por edhe besueshmërisë së vetë gazetarisë.




















