Në një konferencë për shtyp, ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo, tha se Reforma Territoriale duhet të përfshijë patjetër qytetarët dhe grupet e interesit. Ai tha se shpresonte që puna të ecte më shpejt, por shprehu bindjet se turet duhen zhvilluar patjetër.

“Reforma Territoriale, komisioni i posaçëm është duke definuar metodologjinë që do të ndjekim apo edhe vetë seancave dëgjimore. Pritshmëria ime ka qenë që komisioni të ecte më shpejt. Ajo çfarë do të doja të nënvizoja është fakti që ne i qëndrojmë procesit të transparencës, të ketë informim të institucioneve të përfshira, qytetarëve dhe grupeve të interesit. Pavarësisht metodologjisë që do të përcaktohet, turet në vend duhet të bëhen patjetër dhe ne do të luajmë edhe rolin tonë për të përfshirë aktorët lokalë”, tha Demo.

Ministri u shpreh se reforma duhet t’u përgjigjet sa më mirë sfidave të së ardhmes.

“Besojmë që duhet të bazohet në të dhëna, të jetë transparente dhe gjithëpërfshirëve. Nuk kemi një qasje, por është e rëndësishme që reforma territoriale, edhe nga pikëpamja e ndërlikimit real, lidhet me funksionet e bashkive dhe kjo kërkon një punë shumë të kujdesshme. Duhet t’u përgjigjet më së miri sfidave që presim dhe do të ballafaqohemi”, tha Demo.

Sa i përket Paketës së Maleve, një pjesë e tyre e kanë kaluar fazën e miratimit.

“Në mbledhjen e radhës së qeverisë do të kemi 8 bashki në zonat prioritare. Bashkitë janë të hapura dhe kanë gjithë kornizën ligjore në dispozicion”, tha ministri.

Për AFMIS-in po ngrihen grupet e punës, ndërsa vijon koordinimi me Bankën Botërore dhe AKSHI-n që brenda vitit, sistemet të marrin formën e duhur dhe të reflektohet në performancë.