Në cilësinë e Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste në Qarkun Korçë, Niko Peleshi nisi sot turin e takimeve të quajtuar “Punët për Shqipërinë”. Nga Maliqi, ku mblodhi Asamblenë e zgjeruar të PS-së në këtë bashki, Peleshi foli për mediat lidhur me reformën territoriale dhe sinergjinë mes socialistëve.
Për reformën territoriale, Peleshi tha se, pavarësisht propozimeve të larmishme që mund të bëhen nga 2 kampet parlamentare kryesore, “e rëndësishme është që produkti final duhet të orientohet nga nevoja për të rritur efiçencën e bashkive tona”.”Është e vërtetë që është krijuar komisioni për reformën territoriale administrative, lajmi i mirë është që deri tani kemi një bashkëpunim bipartizan edhe shpresoj që edhe produkti final të jetë një produkt i përbashkët, pra të ketë dakordësi në të dyja forcat politike, sepse kjo do e bënte reformën më të qëndrueshme. Nëse i referoheni varianteve që besoj kanë rrjedhur në media nga diskutimet e djeshme të grupit parlamentar të PS, ku janë prezantuar disa mendime, propozime, variante nga anëtarët e PS në këtë komision, unë nuk mund të nxitoj të them një vlerësim, natyrisht ka avantazhe dhe disavantazhe, por secili variant që kemi dëgjuar dje, pra të deritanishme, por edhe të varianteve që mund të furnizohen në komision nga anëtarë të tjerë të komisionit që nuk janë anëtarë të grupit të Partisë Socialiste. E rëndësishme është që produkti final duhet të orientohet nga nevoja për të rritur eficencën e bashkive tona. Ka mënyra të ndryshme se si kjo arrihet, përmes harmonizimit të zonave rurale me zonat urbane”, tha Peleshi.




















