Pas rreth 11 ditësh e bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dherave, këtë të martë në orën 12:00 hapet për qarkullim rruga Librazhd–Prrenjas.

Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative.

Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi zyrtar të Autoriteti Rrugor Shqiptar.

“Sot, më datë 03.03.2026, ora 12:00, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe tonazhin e rëndë, me kusht respektimin e ngarkesës 8.2 ton për aks, në aksin Librazhd–Prrenjas.

Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.

Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.

Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës dhe banorët e zonës, autoritetet u bëjnë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë”, njofton Autoriteti Rrugor Shqiptar.