Një hije e rëndë është rikthyer në kancelaritë evropiane dhe në zyrat e NATO-s: Mundësia që Rusia të përdorë të ashtuquajturat “bomba bërthamore taktike”. Analizat e shërbimeve inteligjente sugjerojnë se konflikti i hapur nga SHBA-të dhe Izraeli në Iran mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në frontin ukrainas, duke e shndërruar luftën globale nga një rrezik teorik në një kërcënim konkret. Paralajmërimi i Iranit se mund të godasë Kievin për ndihmën e dhënë Uashingtonit me teknologjinë e dronëve, ka treguar tashmë një shkrirje të fronteve të luftës.
Sipas raporteve të fundit, brenda rretheve drejtuese të Kremlinit ka rinisur presioni ndaj Vladimir Putinit për përdorimin e armëve ekstreme. Dy janë arsyet kryesore: Së pari, avancimi i ushtrisë ruse në Ukrainë ka ngecur, madje në disa rajone trupat e Moskës janë detyruar të tërhiqen. Së dyti, sulmi amerikan në Iran po i ofron Rusisë një justifikim “politik” – nëse Uashingtoni mund të sulmojë për të përmbysur regjimin e pasdaranëve, Moska mund të ndjekë të njëjtën rrugë me qeverinë e Zelenskyt, duke përdorur një goditje bërthamore taktike për t’i dhënë fund rezistencës së Kievit.
Deri më tani, Putin e ka shmangur këtë opsion, duke kujtuar paralajmërimin e ashpër të Shtëpisë së Bardhë në vitin 2022. Në atë kohë, kur trupat ruse ishin të rrethuara në Kherson, inteligjenca amerikane interceptoi biseda për përdorimin e armëve bërthamore, por Uashingtoni u përgjigj me kërcënimin e një hakmarrjeje konvencionale shkatërruese. Megjithatë, situata sot ka ndryshuar rrënjësisht. Angazhimi i madh i SHBA-së në Iran ka filluar të zbrazë arsenalet e tyre, veçanërisht raketat “Tomahawk”, duke e bërë një përgjigje të mundshme amerikane më pak efektive se dy vite më parë.
Ndërkohë që trupat ukrainase po përfitojnë nga disa probleme organizative të Rusisë për të kryer kundërsulme në Zaporizhzhia, Kremlini e di se lufta po shndërrohet në një proces rraskapitës dhe shumë të gjatë. Kriza energjetike që po rëndon mbi Perëndimin dhe përfshirja e mundshme e Kinës në mbrojtje të Iranit, e bëjnë skenarin edhe më kompleks. Ky grumbullim faktorësh ka ngritur në nivele maksimale alarmin dhe frikën se opsioni bërthamor mund të mos mbetet vetëm një kërcënim në letër.




















