Çmimet e naftës dhe benzinës në qytetin e Vlorës janë rritur mëngjesin e kësaj të mërkure, duke arritur në nivelin e 209 lekëve për litër. Sipas vëzhgimeve në terren, rritja është reflektuar në pjesën më të madhe të pikave të furnizimit me karburant, duke rikthyer çmimet mbi pragun e 200 lekëve.
Burime nga operatorë të tregut e lidhin këtë zhvillim me faktorë ndërkombëtarë, përfshirë situatat gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet globale të naftës. Ndërkohë, punonjës të disa pikave të karburantit, në kushte anonimiteti, kanë bërë të ditur se furnizimet nuk kanë ndryshuar në mënyrë të menjëhershme, duke theksuar se rezervat ekzistuese kanë qenë të mjaftueshme.
Ekspertët vlerësojnë se luhatjet e çmimeve të karburanteve ndikojnë drejtpërdrejt në koston e jetesës, përmes rritjes së shpenzimeve të transportit dhe efektit zinxhir në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Qytetarë të intervistuar shprehen të shqetësuar për rritjen e çmimeve dhe kërkojnë më shumë transparencë në funksionimin e tregut të karburanteve.




















