Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar këtë të enjte nga Samiti i BE së është i bindur se aleatët e aleancës së bashku me SHBA-në do të gjejnë një rrugë për të siguruar Ngushticën e Hormuzit. Ai u tha gazetarëve se aleatët janë tashmë në bisedime me SHBA-në për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Rutte përsëriti mbështetjen e tij për luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, duke thënë se ishte thelbësore që Irani të mos merrte në dorë një kapacitet bërthamor.

Ai shtoi se ndjen se aleanca pajtohet me objektivin SHBA-Izrael për degradimin e aftësive bërthamore dhe balistike të Iranit.

“Ajo që po ndiej dhe dëgjoj është se të gjithë jemi dakord, siç kemi qenë gjithmonë, se ajo që po bën SHBA-ja në këtë moment po e degradon atë aftësi të Iranit”, u tha ai gazetarëve.

“Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është e rëndësishme për sigurinë evropiane, për Lindjen e Mesme. Është jetike për vetë Izraelin”, shtoi ai.

Sipas tij një Iran bërthamor potencialisht do të kishte qenë një kërcënim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e Izraelit, Lindjen e Mesme dhe për Evropën.

“Pastaj, kur bëhet fjalë për Ngushticën e Hormuzit, të gjithë bien dakord se kjo ngushticë nuk mund të qëndrojë e mbyllur. Duhet të hapet përsëri sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është thelbësore për ekonominë botërore”, tha ai.