Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi sot një takim me intelektualë në kryeqytet, ku u diskutuan problematika që lidhen me zhvillimet politike dhe shoqërore në vend.

Gjatë fjalës së tij, Salianji e cilësoi këtë takim si një nismë të munguar prej kohësh në Shqipëri, duke theksuar se aktivitetet e organizuara nga politika shpesh kanë karakter elektoral dhe jo me fokus çështjet që shqetësojnë qytetarët.

“Ky takim duket si një ngjarje e bukur dhe e munguar prej kohësh në Shqipërinë tonë, ku vetëm politika organizon takime për interesa elektorale dhe jo për të diskutuar mbi çështje që shqetësojnë shoqërinë,” u shpreh ai.

Salianji ngriti shqetësimin për atë që e quajti deformim të thellë të sistemit politik në vend, duke theksuar se përgjegjësia bie mbi të gjithë klasën politike. Sipas tij, kjo situatë ka sjellë institucione të dobësuara dhe vendimmarrje që nuk u shërben interesave të qytetarëve, por grupeve të caktuara.

Ai theksoi se mungesa e respektimit të rregullave nga partitë politike rrezikon vetë funksionimin e demokracisë, ndërsa shtoi se dorëheqja si akt përgjegjësie politike është zhdukur.