Sean Penn fitoi çmimin e tij të tretë Oscar në ceremoninë e Academy Awards 2026 të dielën në mbrëmje, por aktori nuk ishte i pranishëm për ta marrë personalisht trofeun.
Ai u shpall fitues në kategorinë e Aktorit më të Mirë në Rol Dytësor për interpretimin e kolonelit Steven J. Lockjaw në filmin “One Battle After Another”, me regji nga Paul Thomas Anderson. Megjithatë, Penn nuk mori pjesë në ceremoni pasi ndodhej jashtë vendit në atë moment.
Çmimin në emër të tij e pranoi aktori Kieran Culkin, fitues i së njëjtës kategori vitin e kaluar për rolin në filmin “A Real Pain”. Gjatë momentit në skenë, Culkin bëri edhe një shaka, duke thënë se Penn “nuk mund të ishte këtu sonte, ose ndoshta nuk donte të ishte”, ndaj ai do ta merrte çmimin në emër të tij.
Ky është Oscar-i i tretë në karrierën e Penn. Ai më parë fitoi çmimin për Aktorin më të Mirë për rolet në filmat “Mystic River” në vitin 2004 dhe “Milk” në vitin 2009. Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë gjithashtu i nominuar në të njëjtën kategori për interpretimet në “Dead Man Walking”, “Sweet and Lowdown” dhe “I Am Sam”.
Për rolin në “One Battle After Another”, Penn fitoi më herët edhe çmimin për Aktorin më të Mirë në Rol Dytësor në ceremoninë e BAFTA Film Awards dhe në Screen Actors Guild Awards në muajin shkurt. Edhe në ato ceremoni ai mungoi.
Në garën e këtij viti për Aktorin më të Mirë në Rol Dytësor, Penn përballej me disa emra të njohur të industrisë së filmit, përfshirë kolegun e tij Benicio del Toro, yllin e filmit “Sentimental Value” Stellan Skarsgård, aktorin Delroy Lindo nga filmi “Sinners”, si dhe Jacob Elordi, i cili luan rolin kryesor në filmin “Frankenstein” të regjisorit Guillermo del Toro.
Ndonëse u justifikua me faktin se ndodhej jashtë vendit, mungesa e Sean Penn në ceremoninë e Academy Awards 2026 nuk është fort e habitshme, pasi aktori ka shprehur shpesh një distancë të dukshme ndaj ceremonive të çmimeve.
Në një intervistë të dhënë këtë vit për revistën Newsweek, Penn pranoi se nuk ndihet rehat me gjithë ceremoninë që shoqëron çmimet e mëdha të industrisë së filmit.
“Nuk është se nuk dua ta fitoj çmimin, por gjithçka që vjen me të – gjithë përshëndetjet, buzëqeshjet dhe formalitetet – më krijojnë një lloj ankthi social,” tha ai.
Aktori shtoi se edhe kur fitoi Oscar për rolin në “Mystic River” në vitin 2004, ndjesia kryesore që përjetoi nuk ishte triumfi personal, por lehtësimi që ekipi i filmit nuk u zhgënjye.
“Ndjeva më shumë lehtësim sesa festë, sepse shumë njerëz kishin investuar shumë në atë film,” u shpreh ai.
Penn ka qenë edhe kritik ndaj vetë institucionit të çmimeve. Në një konferencë për shtyp gjatë Marrakech International Film Festival në vitin 2024, ai deklaroi se nuk është shumë i entuziazmuar nga Oscars.
“Nuk emocionohem shumë për atë që quajmë çmimet Oscar,” tha aktori, duke shtuar se sipas tij Akademia shpesh ka treguar “një frikë të jashtëzakonshme që kufizon imagjinatën dhe shprehjen kulturore”.
Këto deklarata e bëjnë më pak të dyshimtë faktin që aktori nuk ishte i pranishëm për të marrë personalisht statujën e tij të tretë në ceremoninë e këtij viti, shtuar këtu dhe batutën e Kieran Culkin.




















