Policia e Shtetit njofton se në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës është finalizuar operacioni policor i koduar “Night Clubs”.
Në njoftim, Policia bën me dije se gjatë periudhës hetimore janë identifikuar 11 shtetas, punonjës ose administratorë të lokaleve të natës në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në brendësi të ambienteve ku ushtronin aktivitetin.
Nga 11 masa sigurie të caktuara nga gjykata, u ekzekutuan 9 masa sigurie “Arrest në burg”, ndërsa vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë. Ndërkohë, 2 shtetas të tjerë janë arrestuar më parë, gjatë periudhës hetimore.
Sipas Policisë, gjatë periudhës hetimore janë sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë.
“Në kuadër të operacionit të koduar “Night Clubs” u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit E. H., 39 vjeç; A. N., 37 vjeç; K. M., 30 vjeç; R. L., 29 vjeç; E. S., 34 vjeç; E. H., 26 vjeç; M. B., 31 vjeç; A. Gj., 36 vjeç dhe F. K., 32 vjeç”, thuhet në njoftim.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, punonjës ose administratorë lokalesh, shpërndanin doza të drogave të forta në ambientet e brendshme të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut. Gjatë kontrolleve fizike, atyre iu gjetën doza të lëndës narkotike të dyshuar kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 11 aparate celularë.
Policia njofton se janë arrestuar shtetasit E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, të cilëve iu sekuestruan 2200 tableta ekstazi (MDMA), ndërsa 2 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale janë shpallur në kërkim.
Gjithashtu, Policia cilëson se u arrestua në flagrancë shtetasi O.(D). J., 49 vjeç, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.




















