Në mbrëmjen e 6 marsit, stadiumi në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet do të oshëtinte nga jehona e tifozëve të futbollit amator të klubit Barrikada FC. Në atë mbrëmje, do të luhej finalja e kupës të FSHF Sunday League Albania midis ekipeve Barrikada FC dhe FC Dajti, në një ndeshje që sipas ekipit të Barrikadës do mbahet mend për padrejtësitë arbitrare.
Rreth 500 tifozë të Barrikadës shpërthyen me britma dhe flakadanë pasi sipas kapitenit të Barrikadës Lorenc Sallufi, arbitri dha një penallti të diskutueshme që ndryshoi fatin e finales.
Në një intervistë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, kapiteni Sallufi akuzon arbitrin Mikele Dyrmishi për njëanshmëri, duke thënë se emocionet dhe zemërimi i tifozëve tregojnë qartë se pasioni u godit padrejtësisht.
“Barrikada është një grup djemsh që kanë sakrifikuar orët me familjen dhe angazhimet për të luajtur futboll për pasion”, u shpreh kapiteni i ekipit.
Pas penalltisë, ekipi i Barrikadës braktisi ndeshjen dhe sipas Sallufit klubi po diskuton pjesëmarrjen edhe në play off-et e kampionatit, për shkak të mënyrës se si është arbitruar ndeshja.
“Jemi akoma duke shqyrtuar pjesëmarrjen tonë në vazhdimësinë e kampionatit dhe kjo besoj do prishë shumë balancat për pjesën e Sunday League sepse nuk është vetëm problem i Barrikadës. Besoj të gjithë kanë hasur probleme në këtë lloj pjese, por sidomos ndeshjet finale dhe kjo është e patolerueshme”, tha për “Panorama Sport” kapiteni i Barrikadës.
Panorama Sport




















