Një ekspozitë e titulluar “Masakrat në Kosovë ’98-’99 po qëndron e hapur në sheshin e Prishtinës që nga 24 marsi.
E punuar nga libri i Shkëlzen Gashit, ish-këshilltarit politik të kryeministrit Albin Kurti dhe organizatat Admovere dhe Integra, ekspozita u përurua në kujtim të nisjes së bombardimeve të NATO-s në Kosovë.
Megjithatë, pasaktësitë janë të thella. Në tabelën për masakrën në Burgun e Dubravës ku u vranë 116 vetë, ndërsa një person është i zhdukur, figuron një numër tjetër i civilëve të vrarë. Sipas autorëve të ekspozitës, në Burgun e Dubravës janë vrarë 106 shqiptarë.
“Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë” thuhet në shkrimin në tabelë. Lidhur me këtë cilësim të pasaktë të autorëve të opozitës ka reaguar Enver Dugolli, i mbijetuar i masakrës.
“Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka thënë ai, derisa ka ftuar prokurorinë të nis hetime.
Një prej “huqjeve” më të mëdha është edhe në shkrimin për Prekazin, vëren Durim Abdullahu, profesorit të historisë në Universitetin e Prishtinës, i cili në vitin 2025 kishte shkruar mbi librin ku edhe bazohet ekspozita.
Në tabelën për Prekazin thuhet se “Nga të dhënat e HLC-së, rezulton se forcat serbe në këtë offensive kanë vra 59 veta në Prekaz, tre në Polac, dy në Llaushë, dy në Turiqec, një në Burojë dhe një në Tushilë, pra gjithsej 68 veta, prej të cilëve 40 civilë ishin civilë të paarmatosur”.
“Nisur nga kjo logjikë, te tabela me grafikonin e masakrave, numri i të vrarëve në Prekaz është shënuar i zbritur në 40. Në këtë rast, autori i ka ndarë të vrarët nga 68 gjithsej, në 28 të armatosur dhe 40 civilë të paarmatosur, prej të cilëve vetëm këta të fundit janë cilësuar viktima të një masakre. Sipas këtij kriteri, konkludohet që Adem dhe Hamëz Jashari bashkë me djemtë e tyre që luftuan më 5 mars 1998 në shtëpitë e tyre ishin të vrarë si luftëtarë, kurse pjesëtarët e tjerë të familjes, gratë dhe fëmijët e tjerë të vrarë pranë tyre dhe në po të njëjtat shtëpi ishin viktima të një masakre”, thuhet në shkrimin e Abdullahut.
Numri i viktimave është i zbritur edhe në masakrën e Reçakut. Sipas tabelës figuron që janë 37 civilë të vrarë, ndërkohë që Misioni i OSBE-së në janar të 1999-ës konstatoi se janë të vrarë 45 civilë në masakrën që nxiti reagimin ndërkobëtar mi vrasjet e civilëve që kryente Serbia në Kosovë.
Në 197 civilë të vrarë është reduktuar edhe masakra në Krushë të Madhe. Ndërkohë që në të vërtetë nga 25 deri më 27 mars, forcat serbe në Krushë të Madhe të Rahovecit vranë 243 civilë të paramatosur.
Ekspozita është financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës. Ky institucion në një reagim thotë se “përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, derisa shton se mbështetja jepet “duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla”.
Ndërkohë, Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Clirimtare, Andin Hoti thotë se “këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme.”
“Si Ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, bëj thirrje për: tërheqjen e menjëhershme të materialeve që përmbajnë pasaktësi; verifikim institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës. Në të njëjtën kohë, ftoj institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që të shqyrtojnë këtë çështje”, shkruan Hoti.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës në orën 10:00 këtë të shtunë do të bëjë largimin e tabelave të ekspozitës.
“Nuk lejojmë që në sheshin e Kryeqytetit tonë të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit tonë. Ekspozita e financuar nga Kuvendi i Kosovës paraqet një version të pasaktë dhe të papranueshëm të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Autori i librit “Masakrat në Kosovë ’98-‘99”, mbi të cilin është bazuar ekspozita, Shkëlzen Gashi thotë se nuk ka listë nga institucionet mbi numrin e të të vrarëve, duke i pranuar edhe gabimet që ka në listën e organizatës Humanitarian Laë Center të udhëhequr nga Natasha Kandiq.




















