Marinela Osmani është gjyqtarja e posaçme që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e akuzuar për falsifikim të vulave dhe formularëve.
Gjyqtarja e GJKKO-së Irena Gjoka është kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion nga Partia Demokratike duke e akuzuar se në formularin e dekriminalizimit ajo kishte fshehur një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë. Bëhet fjalë për një proces gjyqësor në Greqi në vitin 2005, ku është konstatuar në dy episode në kufi, se Irena Gjoka ka përdorur “dokumente të parregullta dhe ka bërë tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese”.
SPAK konfirmon se gjyqtarja Irena Gjoka “është deklaruar fajtore për veprën penale të parashikuar nga legjislacioni penal grek “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, e dënuar me burgim dhe gjobë (konvertuar në gjobë sipas dispozitivit të vendimit)”.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e procedimit penal për gjyqtaren Gjoka me argumentin se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale dhe se nuk provohet që magjistratja të ketë kryer vepër penale.
Ndër të tjera, SPAK arsyeton se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga mediat greke, nuk figurojnë të dhëna për një dënim penal për Gjokën si he kjo e fundit në formularin e vetëdeklarimit, ka shkruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë. Një tjetër fakt që SPAK rreshton është se përveç se procesi ndaj saj në Greqi është zhvilluar në mungesë dhe ajo nuk ka qenë në dijeni, është dhe se sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.
Irena Gjoka ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura nga ana e kryetarit demokrat Sali Berisha, duke qenë se ajo ka qenë gjyqtarja e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, për të cilën ai është vënë nën akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash.


















