Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi në një video në rrjetet sociale lidhur mbi zhvillimet e fundit ekonomike në vend.

Tabaku tha se, ekonomia shqiptare është kthyer në një “gjueti shtrigash” ndaj atyre që punojnë, ndërsa të dhënat e fundit buxhetore tregojnë një zhvendosje të rrezikshme të barrës fiskale.

“Të ardhurat nga tatimi mbi punën përbëjnë tashmë rreth 20% të totalit të të ardhurave në buxhet, duke u kthyer në burimin kryesor të financimit publik”, tha Tabaku.

Tabaku nënvizoi se të ardhurat nga konsumi janë në rënie, një sinjal që tregon qartë se qytetarët po shpenzojnë më pak për shkak të rritjes së çmimeve dhe uljes së fuqisë blerëse.

“Kemi një model që nuk prodhon, që nuk nxit sektorët me produktivitet të lartë dhe që ka shteruar burimet e tij,” tha ajo.

Sipas Tabakut, “ekonomia është kthyer në një sistem që favorizon një pakicë të privilegjuar, ndërsa shumica e qytetarëve përballen me taksa më të larta mbi punën dhe me mungesë mundësish”.

Tabaku kritikoi modelin ekonomik aktual, duke e etiketuar si joproduktiv dhe të orientuar drejt investimeve që janë të keqmenaxhuara dhe të korruptuara, pa krijuar vlerë të shtuar për ekonominë.

Deputetja e PD-së, në fund të videomesazhit bëri thirrje për ndryshim të modelit ekonomik, duke e cilësuar situatën si një emergjencë jo vetëm ekonomike, por edhe demografike për Shqipërinë.