Pak ditë më parë, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, gjatë një takimi me të rinj në Shkodër, bëri një deklaratë që u prit me shumë interes. Ajo tha: “PD nuk e ka luksin të humbasë asnjë figurë të saj”, duke iu referuar edhe debatit të fundit në parti për përjashtimet, e konkretisht edhe për Ervin Salianjin, i cili ka shprehur dëshirën për të kandiduar përballë Sali Berishës për Kryetar të PD-së, pavarësisht se cilësohet si i vetëpërjashtuar prej tij dhe drejtuesve të partisë.

Sot Jorida tabaku ka bërë një tjetër deklaratë në media, duke u shprehur se PD ka nevojë të hapet, por edhe se gara duhet të hapet në mënyrë që kushdo të ketë mundësi të garojë në PD.

“Në PD ne kemi nevojë të hapemi. Unë këtë mendim kam pasur edhe kur ishte debati më i madh në PD dhe thoja s’kemi asnjë rrugëzgjidhje tjetër përveçse të bashkohemi. Edhe kur ndodhën përjashtimet atëherë, kam qenë kundër. Debatet e brendshme unë dua t’i bëj në parti dhe unë i qëndroj deklaratës sime, parimit se PD duhet të hapet, duhet të rritet, duhet të zmadhohet.

Unë them të hapet gara, të ketë mundësi kushdo të garojë në PD. Gara nuk i bën askujt keq”, ka thënë ajo.