Qyteti bregdetar i Himarës po njeh rritje të vizitorëve edhe gjatë muajve të dimrit, megjithatë resurset e mëdha e bëjnë zonën me potencial për turizëm gjithëvjetor dhe numra në rritje.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo në një intervistë për ATSH-në, tha se Himara ka frekuentim në rritje gjatë dimrit, por ajo dhe fshatrat e saj kanë kapacitete të jashtëzakonshme për një turizëm gjithëvjetor.
Zonat malore, ushqimi tradicional, bujtinat dhe shtigjet natyrore janë një mundësi shumë e madhe për zhvillim të zonës.
Tavo tha se si hap i parë konkret është ndërmarrë përmirësimi i infrastrukturës rrugore, me fokus në lidhjen më të mirë të fshatrave me akset kryesore.
“Jemi duke ndërhyrë në rrugët e brendshme të këtyre zonave, duke përmirësuar ndjeshëm aksesin dhe lidhjen e tyre me rrugët kryesore. Po bëjmë një përmirësim të ndjeshëm të kësaj infrastrukture në të gjithë territorin. Paralelisht, kemi ndërhyrje edhe në sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe në ndriçimin publik, për të garantuar shërbime më të mira për qytetarët dhe vizitorët. Qëllimi ynë është shumë i qartë: të lidhim të gjithë territorin e Himarës dhe të krijojmë kushte të barabarta zhvillimi si në bregdet, ashtu edhe në zonat e brendshme”, nënvizoi Tavo.
Paralelisht, shtoi Tavo, fondet për mbështetjen e zonave rurale dhe sektorit të bujqësisë do të ndihmojnë ata që janë të përqendruar tek blegtoria dhe agropërpunimi, për ta kthyer këtë sektor në një mbështetje reale për turizmin.
Sipas tij, qëllimi i bashkisë është që turizmi në Himarë të mos jetë vetëm sezonal, por një aktivitet ekonomik gjatë gjithë vitit.
Për kryebashkiakun Tavo, turizmi është një shërbim shumë delikat.
“Ta tërheqësh turistin është një gjë, por sfida e vërtetë është ta mbash atë dhe ta kthesh në vizitor të rregullt. Në këtë proces janë tre aktorë kryesorë: bashkia, qeveria qendrore dhe biznesi. Ndërtimi i infrastrukturës, pastrimi, rrugët, uji, energjia dhe shërbimet publike janë përgjegjësi e institucioneve. Ndërsa cilësia e shërbimit dhe politika e çmimeve varen nga sipërmarrësit”, tha Tavo.
Kryebashkiaku vuri në dukje se për herë të parë, këtë vit u zhvillua analizë e thellë e sezonit turistik jo thjesht për bilance, por për të identifikuar problemet reale.
“Kemi kërkuar nga operatorët turistikë që të jenë më realistë në raportin mes çmimit dhe shërbimit, sepse tregu është shumë i ndjeshëm dhe ndëshkon shpejt”, theksoi Tavo.
E ndërsa Himara mbetet një nga markat më të rëndësishme të turizmit në vend, kryebashkiaku thotë se detyra e autoriteteve lokale është ta përforcojmë këtë markë, duke rritur cilësinë e shërbimeve dhe duke mbajtur gjithmonë një ekuilibër të drejtë mes çmimit dhe asaj që ofrohet.
Lidhur me përmirësimin e aksesit në plazhet publike, Tavo tha se “deri para pak vitesh ishte pothuajse e pabesueshme që të vije në plazhet e bregut të Jonit dhe të gjeje hapësira publike”.
Ai sqaroi se ky realitet ka ndryshuar. “Vitin e kaluar krijuam hapësira publike në plazhe dhe vendosëm edhe çadra falas për frekuentuesit. Kjo nismë do të vijojë edhe këtë vit dhe synimi ynë është që jo vetëm t’i ruajmë këto hapësira, por edhe t’i zgjerojmë”, shtoi ai.
Kryebashkiaku Tavo informoi se këtë sezon veror do të rritet shkalla e monitorimit, pasi vitin e kaluar pati abuzime, ku pushues të ndryshëm zinin çadrat për periudha të gjata, duke krijuar situata të panevojshme.
Tjetër problem mbetet edhe menaxhimi i mbetjeve.
“Ne kemi marrë masa konkrete për ta përballuar këtë sfidë. Kemi siguruar filtrimin e ujërave të zeza në qytetin e Himarës, duke shmangur shkarkimin e tyre në det, si dhe kemi të zgjidhur depozitimin e mbetjeve të ngurta në landfill. Sfida mbetet pastrimi gjatë sezonit, pasi prodhimi i mbetjeve shumëfishohet. Për këtë arsye, ne punojmë duke tërhequr mbetjet disa herë në ditë për të mos krijuar depozitime, si dhe bëjmë
pastrimin e rregullt të plazheve dhe të gjithë hapësirave publike”, tha Tavo.
Bashkia e Himarës ka hasur edhe problematika me individë dhe subjekte të pandërgjegjshëm që ndotin mjedisin.
“Vitin e kaluar vendosëm kamera dhe përdorëm edhe sistemet ekzistuese për të identifikuar ndotësit, duke vendosur gjoba dhe duke i bërë rastet publike. Pastërtia e qytetit, plazheve dhe rrugëve është e shenjtë për një turizëm të suksesshëm dhe këtu nuk do të ketë asnjë tolerancë. Çdo qytetar apo subjekt do të ndëshkohet maksimalisht, sipas ligjit, nëse ndot”, tha Tavo.
Himara dhe fshatrat e saj janë një thesar i vërtetë. Deti dhe mali pranë e pranë nuk bëhen bashkë askund si këtu. Vizitorët mund të shijojnë plazhet dhe bregdetin e Jonit, shkëmbinjtë dhe shpellat natyrore, kalatë historike si kalaja e Himarës, e Porto Palermos apo ajo e Borshit, një numër të madh kishash me vlera historike dhe kulturore, si dhe kanione dhe shtigje malore për turizëm aventure.
Të gjitha këto ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës dhe ofrojnë mundësinë që të përjetohen edhe brenda një dite.




















