Polonia hyn në përballjen ndaj Shqipërisë me bindjen se mban rolin e favoritit në këtë duel të vlefshëm për fazën “play-off” të Botërorit. Megjithatë, trajneri i përfaqësueses polake, Jan Urban, shfaq një këndvështrim më të kujdesshëm, duke vlerësuar maksimalisht kuqezinjtë.
Sipas tij, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm vitet e fundit dhe zotëron një grup me cilësi të lartë. Urban thekson se skuadra shqiptare është veçanërisht solide në repartin mbrojtës, duke pësuar pak gola dhe duke menaxhuar mirë ndeshjet.
Ai nënvizoi gjithashtu se shumë prej lojtarëve shqiptarë aktivizohen në kampionatin italian, gjë që i ka ndihmuar të përmirësojnë lojën taktike dhe organizimin defensiv. Për këtë arsye, sipas tij, Polonia duhet të tregojë kujdes maksimal në këtë përballje.
“Nëse dikush më garanton kualifikimin edhe me një paraqitje jo të mirë nga ana jonë, do ta pranoja pa hezitim”, u shpreh Urban.




















