Nga Bjorn Runa

Përgjithësisht, kur është fjala për klasën politike tradicionale të këtyre tri dekadave, ka shumë pak arsye që të shkruash. Të parë nga jashtë, pjesa më e madhe e politikanëve nuk kanë ofruar deri më sot ndonjë gjë mjaftueshëm me vlerë për të justifikuar dhënien e vëmendjes. Ata nuk përfaqësojnë ide se sa mbajnë poste të përkohëshme dhe nuk kanë luftuar ndonjëherë për ndonjë kauzë, se sa për të mbrojtur afërsinë personale me pushtetin dhe për marrëveshje që rrallëherë dalin nga rrezja e ngushtë e itneresave vetjake, ndërsa ambicia intelektuale nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e e përshkrimit të punës për ta. E vetmja gjë që mbetet është një lloj mbijetese administrative dhe një politikë e përqendruar tek vazhdimësia pa ndonjë thelb.

Kjo bën që thuajse çdo përpjekje për analizë të jetë e tepërt, pasi përse të tentosh të zbërthesh diçka që as nuk pretendon të ketë ndonjë lloj thellësie?

E megjithatë, diçka e papritur po ndodh prej disa kohësh, teksa politika po kërkon gjithnjë e më shpesh të hyjë në fushën e kulturës, si një mënyrë për të pastruar imazhin dhe reputacionin e saj.

Janë të shumtë emrat e politikës dhe ish-politikanë që botojnë vëllime ndonjëherë të pafundme librash, të cilat me gjasë do duhej më shumë se një jetë mbi tokë – dhe jetë tejet e mërzitshme madje – për t’i lexuar. Megjithatë, shembulli më i dukshëm i kësaj përpjekjeje në Shqipëri është ish-çifti Meta, të cilët së fundmi ndonëse sillen rrotull në orbita të ndryshme nga njëri tjetri, duket se mbeten gjithsesi brenda së njëjtës fushë gravitacionale.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë nisur të dy të migrojnë drejt fushave që tradicionalisht këkrojnë një element që ata nuk e kanë gëzuar kurrë plotësisht në politikë: narrativën.

Duhet pranuar se ka një lloj simetrie në mënyrën se si ky ish-çift i rëndësishëm politik ka zgjedhur të sillet me vështirësitë me të cilat po përballen. Monika Kryemadhi, nga njëra anë, i është kthyer botës së spektaklit televiziv dhe së fundmi edhe kinemasë, duke prodhuar dhe aktruar në një film, ndërsa ish-bashkëshorti i saj duket se ka vendosur të hidhet në shkrimin e librave duke deklaruar në një intervistë të fundit se po shkruan jo një por tre të tillë gjatë periudhës që gjendet në paraburgim. Ndonëse zanati i të shkruarit i jep përparësi kursimit – ajo që hidhet në letër është zakonisht rezultat i kufizimeve që autori i vendos vetes – ndoshta duhet të jemi mirëkuptues sepse në rastin e tij, instinkti sasior është pasojë e një kulture ku vlera e gjërave matet vetëm përmes sasisë dhe jo thelbit të tyre.

Dukshëm ai ka zgjedhur betejën më të vështirë në këtë mes: të shkruajë pa patur ndonjë gjë për të thënë. Sepse të rrëfyerit në libra, kur merret sado pak seriozisht, nënkupton se njeriu ka mbartur brenda vetes diçka që refuzon të harrohet. Njerëzit nuk i kthehen librave nga kënaqësia apo koha e tepërt që mund të kenë në duar, por sepse në çaste të caktuara, jeta i mbërthen në qoshe duke mos iu lënë rrugëdalje tjetër veç reflektimit, apo sepse mbartin brenda tyre kontradikta që mund të zgjidhen vetëm duke punuar me veten dhe analizuar përmes shkrimit.

Edhe figurat politike më të kompromentuara, ish-diktatorë emrat e të cilëve lidhen pashmangshmërisht me dhunë dhe luftëra, përpiqen në mënyrë sado cinike të gërmojnë brenda vetes për të nxjerrë në fund një lloj narrative nga gjithë mizoritë që kanë shkaktuar. Janë përgjithësisht rrëfime të vonuara, shpesh pa ndonjë vlerë, por ku duket qartë se diçka e pakthyeshme ka ndodhur në jetët etyre dhe se dikush duhet të dëshmojë për të. Ka edhe raste të tjera, gati-gati komike, si ai i ish-Presidentit francez Nicolas Sarkozy, i cili pas një përballjeje të shkurtër dhe thuajse cermoniale me qelinë, doli prej saj me “Ditarin e një të burgosuri,” a thua se tri javë në izolim mjaftuan t’i çlironin një rezervë të fshehtë mendimi filozofik. Në rastin e tij, e gjitha s’ishte tjetër veçse një refleks vetëmbrojtjeje dhe një mënyrë për ta shndërruar turpin në narrativë para se e gjithë gjëja të bëhej më serioze. Gjë që na kthen sërish tek Meta dhe zbrazëtia në qendër të ambicies së tij letrare. Situata në të cilën ndodhet nuk është aspak e lehtë dhe përbën pa dyshim një moment këputjeje mes dy kohësh në jetën e tij. Por, ajo është gjithashtu i vetmi moment thyerjeje. Çdo gjë që i paraprin është zhvilluar në një vazhdimësi të papenguar ndonjëherë seriozisht. Jeta e tij politike nuk njeh ndonjë shkëputje ideologjike, krizë intelektuale, apo ndonjë moment kur idetë personale të jenë përballur me një realitet aq të vështirë sa ta detyrohej të reflektonte. Përkundrazi, ajo është shenjuar vetëm nga përshtatje dhe mbijetesa.

Megjithatë, ja ku gjendemi, të ftuar ta imagjinojmë Ilir Metën si shkrimtar dhe autor të mundshëm të jo më pak se tre librave. Natyrshëm lind pyetja: tre libra për çfarë? Mbi çfarë materiali jetësor mund të reflektojë një jetë manovrash? Çfarë mund të gërmosh brenda vetes – nëse pranojmë, për hir të argumentit, se ka thellësi atje – kur gjithë karriera e jashtme nuk ka ofruar asnjë dëshmi të saj?

Ndoshta për këtë arsye, zgjedhja e Kryemadhit për t’i hyrë rrugës së kinemasë duket, të paktën në pamje të parë, më e ndershme në ambicien e saj. Sado në shërbim të vetes, ajo duket se pranon nevojën e ngritjes së një narrative – me personazhe, konflikt dhe një qendër morale – sado artificiale qoftë e gjithë kjo ngrehinë. Meta, nga ana tjetër, zgjedh direkt autoritetin e fjalës së shkruar, sikur vetë akti të mjaftonte për të gjeneruar thelb.

Qartësisht, gjestet e të dyve i përkasin të njëjtit ekosistem ku politika, spektakli dhe nevoja për të rishpikur veten qarkullojnë lirshëm nga një format tek tjetri. I vetmi dallim i dukshëm për momentin është niveli i artificës së zgjedhur. Ndërsa Kryemadhi zgjedh të inskenojë përmes filmit një histori për fatin dhe familjen, Meta tenton të bëhet vetë historia që rrëfehet dhe për rrjedhojë përballet me një problem edhe më sfidues se ai i sallës së gjyqit: nevojën për të provuar se ka një jetë që, në fakt, ka se ç’të tregojë.