Me 79 vota të mazhorancës socialiste dhe 3 votat e deputetëve të Partisë Socialdemokrate, më 12 mars Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut, e cila akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë në tenderë” gjatë procesit të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, në kohën kur ishte ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Refuzimi i kërkesës së SPAK për autorizimin për arrestimin e Ballukut shkaktoi reagimin e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadës Gjermane, Holandeze, Suedeze, edhe Britanike, të cilat kërkonin mospengimin e organeve të drejtësisë në hetimet ndaj Ballukut. Edhe Komisioni Europian në një reagim për Report Tv theksoi se “mbajtën shënim votimin e Kuvendit” dhe se “angazhimi për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.”
Por, ky standard i kërkuar nga Bashkimi Europian, na sjell në vëmendje kohën aspak të largët, kur Parlamenti Europian refuzonte heqjen e imunitetit të 3 eurodeputetëve.
Vetëm 5 muaj më parë, më 7 tetor të vitit 2025 Parlamenti Evropian refuzoi kërkesën e qeverisë hungareze për heqjen e imunitetit të eurodeputetëve Péter Magyar, Ilaria Salis dhe Klára Dobrev. Autoritetet hungareze kishin kërkuar heqjen e imunitetit të tyre në kuadër të procedimeve ligjore kundër këtyre deputetëve.
Ligjvënësit e Parlamentit refuzuan kërkesën e autoriteteve hungareze për heqjen e imunitetit të liderit të opozitës në Hungari, Péter Magyar, i cili kryesonte ndaj kryeministrit Viktor Orbán në sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve që pritet të mbahen më 12 prill të këtij viti në Hungari.
Euroeputetët votuan me ngritje dore për të refuzuar kërkesën e Hungarisë, e cila synonte nisjen e procedimeve ligjore kundër Magyar, anëtar i grupit politik të Partisë Popullore Evropiane (EPP). Hungaria kërkonte heqjen e imunitetit të tij për t’u përballur me ndjekje penale në atdhe në tre çështje gjyqësore.
Çështja e parë lidhet me akuzat se Magyar hodhi telefonin e një burri në lumin Danub pas një debati në një klub nate në Budapest, ku ai po filmohej. Dy çështjet e tjera lidhen me padi për shpifje të ngritura nga një ish-anëtar i parlamentit hungarez, György Simonka, dhe nga lëvizja e ekstremit të djathtë “Our Homeland Movement”.
Në një çështje të veçantë, eurodeputetja socialiste hungareze Klára Dobrev gjithashtu ruajti imunitetin e saj pas votimit në seancë plenare. Ajo përballej me një padi për shpifje në Hungari.
Ilaria Salis shpëtoi me vetëm një votë
Hungaria kërkonte ndjekjen penale të Salis për një rast të dyshuar sulmi ndaj dy militantëve të ekstremit të djathtë.
Në një votim të fshehtë, 306 eurodeputetë votuan për mbrojtjen e imunitetit të Salis, kundrejt 305 që votuan kundër, në një votim jashtëzakonisht të tensionuar që tregoi ndarje të thella mes konservatorëve në Parlamentin Evropian. Krahu i majtë i sallës shpërtheu në duartrokitje pasi presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, shpalli rezultatin.
Meqenëse votimi u zhvillua me votim të fshehtë, nuk dihet se cilët eurodeputetë votuan për ruajtjen e imunitetit të Salis dhe cilët kundër.
Megjithatë, rezultati i votimit tregoi se disa eurodeputetë nga grupet e djathta politike, si Partia Popullore Evropiane (EPP), Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) dhe Patriots for Europe (PfE), thyen rreshtat dhe mbështetën ruajtjen e imunitetit të Salis, pavarësisht pozicioneve zakonisht konservatore të këtyre grupeve.
Pas votimit, Salis u tha gazetarëve se dëshiron që çështja e saj të hetohet në Itali, pasi sipas saj “në Hungari nuk mund të ketë gjykime të drejta ndaj antifashistëve apo ndaj kundërshtarëve politikë”.
Salis u arrestua në Budapest në shkurt të vitit 2023 gjatë një proteste kundër një tubimi neo-nazist në Evropë.
Në atë kohë, Salis ishte mësuese dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Ajo kaloi më shumë se 15 muaj në paraburgim në Hungari, duke pretenduar se kishte përjetuar kushte të ashpra dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Hungaria i mohoi këto akuza.
Salis u zgjodh më pas eurodeputete në qershor 2024 me partinë Alliance Greens-Left (AVS), duke iu bashkuar grupit “The Left” dhe duke rifituar lirinë falë imunitetit parlamentar.
Ligji hungarez u lejon eurodeputetëve të marrin mandatin menjëherë pas zgjedhjes, çka bëri që Salis të lirohej nga burgu për të shkuar në Bruksel. Megjithatë, zgjedhja e saj në institucionin evropian nuk i hoqi akuzat dhe as nuk e ndaloi gjyqin, çka do të thotë se Budapesti mund t’i kërkonte Parlamentit Evropian heqjen e imunitetit për të përfunduar procesin.




















