Qyteti i Toyoake në Japoni, ka miratuar një urdhër ku rekomandohet që telefoni celular të mos përdoret më shumë se 2 orë në ditë.

Ky vendim synon të promovojë përdorimin e drejtë të smartphone-ëve dhe u sugjeron qytetarëve të e shohin këtë kufi si një udhëzues të maksimalit të kohës së përdorimit. Urdhri rekomandon gjithashtu që përdorimi i telefonit të shmanget pas orës 21:00 për nxënësit e shkollave fillore dhe pas orës 22:00 për studentët, duke pasur parasysh efektet negative që pajisjet elektronike mund të kenë mbi shëndetin fizik dhe mendor. Bashkia shpjegon se iniciativa lind nga shqetësimet për problemet që po rriten si mungesa e gjumit, vështirësitë në shkollë dhe ulja e komunikimit familjar.

Në Japoni, ku liria individuale është një vlerë thelbësore, iniciativa të ngjashme kanë shkaktuar më parë debate ligjore, disa qytetarë duke pretenduar se këto kufizime ndërhyjnë në zgjedhjet personale.

Megjithatë, administrata e Toyoake ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për një ndalim apo një ligj të detyrueshëm, por për një udhëzues edukativ që synon të ndihmojë në përdorimin më të balancuar të teknologjisë.

Raporti i Japonisë me teknologjinë është shpesh i perceptuar jashtë vendit si shembull i avancuar digjital, dhe pjesërisht kjo është e vërtetë: vendi ka qenë ndër të parët në botë që zhvilloi kulturën e telefonit celular në vitet ’90 dhe ka sisteme të avancuara pagesash dhe shërbimesh online, ku mbi 90% e popullsisë përdor internet dhe 80-90% ka telefon celular.

Megjithatë, realiteti është më i ndërlikuar: Japonia është shumë e avancuar në aspektin industrial, por digitalizimi shoqëror dhe administrativ ka qenë më i ngadaltë se në vendet e tjera të zhvilluara. Shumë institucione dhe kompani përdorin ende dokumente të printuara, faks dhe stempa personale. Pandemia e Covid-19 evidentoi këtë problem, dhe në 2021 u krijua Agjencia për Digjitalizimin.

Në të njëjtën kohë, ka një debat publik mbi përdorimin e tepërt të smartphone-ëve nga adoleshentët, varësinë nga lojërat dhe interneti, dhe lidhjen mes teknologjisë dhe izolimit social. Disa administrata lokale kanë nisur iniciativa simbolike për të kufizuar kohën e përdorimit të pajisjeve. Pra, në Japoni, teknologjia nuk shihet vetëm si progres, por edhe si një çështje sociale dhe edukative. Dokumentet qeveritare dhe studimet akademike nënvizojnë nevojën për dy gjëra: të përshpejtohet transformimi digjital i ekonomisë dhe institucioneve, por njëkohësisht të menaxhohen rreziqet e tij.

Në praktikë kjo shihet qartë: fëmijët përdorin tabletë në shkollë gjatë orëve të caktuara, por prindërit ende shkruajnë me dorë mesazhe për mësuesit dhe plotësojnë formularë në spital ose farmaci me penë.

Disa fëmijë, të cilët kanë probleme me shkollimin, kalojnë shumë kohë te lojërat, ndërsa të tjerët luajnë në park, bëjnë lojëra fizike apo shkojnë me biçikletë. Në të gjithë vendin, gjetja e një ekuilibri mes përdorimit të teknologjisë dhe jetës reale mbetet një sfidë e madhe.