Lidhur me vjedhjen e ditës së sotme në zonën “5 Maji” në një pikë këmbimi valutor, policia njofton se janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth, për të bërë të mundur kapjen e autorit. Ky i fundit ende nuk është identifikuar.
Autori vodhi një shumë prej 1 milionë e 200 mijë lekë të vjetra, dhe pas grabitjes dyshohet se është larguar me motorr nga qendra tregtare.
Njoftimi i plotë policor:
Rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji”, një shtetas ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri (pistoletë), ka vjedhur një shumë parash në një pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën dhe po vijojnë kontrollet me qëllim kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.




















