Analisti Preç Zogaj, i ftuar në studion e emisionit “Trialog” nga Alba Alishani në RTSH 1, u shpreh se rikandidimi i Sali Berisha e bën të pamundur një garë reale brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Zogaj kujtoi gjithashtu raste të mëparshme të kontestimit të zgjedhjeve, duke përmendur vitin 1996 dhe 2001, kur sipas tij ndërhyrjet dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve vunë në pikëpyetje procesin zgjedhor dhe menaxhimin e rezultateve.
“Me rikandidimin e Sali Berishës nuk ka garë, ngjarja demokratike në PD fillon kur Sali Berisha të hiqet mënjanë. Përpjekja që u bë në rastin e Rithemelimit rezulton e shkelur në 3 pikat kryesore. Ata vunë statut që kryetari i partisë që humbet zgjedhjet largohet, “ pa por”, “pa si”, jep dorëheqjen dhe nuk është më kryetarë. Dy herë është kontestuar rezultati ngas kancelaritë, një herë në 96 që kërkuan përsëritjen e 40 zonave elektorale që e refuzoi Berisha dhe në 2001 që mori mandate PS nëpër gjykata dhe BE dhe SHBA thanë se këto mandate duhet të kthehen”, u shpreh Zogaj.
Duke komentuar rolin e Evi Kokalari, ai tha se ajo ka qenë aktive gjatë periudhës së rithemelimit, por më pas ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj zhvillimeve në PD. Megjithatë, Zogaj theksoi se mungesa e kandidimit të saj mund ta dëmtojë më shumë partinë sesa përfshirja në garë.
Në përfundim, ai u shpreh se PD ka ende potencial për t’u kthyer në një alternativë qeverisëse, por vetëm nëse garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda saj dhe nëse nxjerr në krye një lider të ri të votuar nga anëtarësia.
“Zonja Kokalari ka qenë shumë aktive në periudhën e rithemelimit më pas ajo është informuar për të vërteten e “Non Grata” në Shqipëri, ka mbajtur shënim episode, ngjarje, akte që e kujtojnë që të ketë një qëndrim shumë kritik ndaj PD po s’kemi dëgjuar që është larguar. Zonja Kokalari mund ta dëmtojë PD më shumë duke mos kandiduar se sa të kandidojë. Sepse duke kandiduar ajo nuk jeton këto dhe në një parti që është bërë shumë sektare s’ka shans. PD të bëhet një forcë alternativ që vjen në pushtet dhe mund të vijë në pushtet dhe i ka mundësitë nëse do bënte zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të nxirrte në krye një lider të ri të votuar”, tha ai.




















